Në lidhje me këtë, “Panorama Sport” ka marrë një intervistë ekskluzive një zëri të veçantë në opinionin sportiv në Shqipëri. Redi Jupi është i drejtpërdrejtë kur thotë se lista e Silvinjos është me efekte kolaterale, me ndonjë ndërhyrje të vogël aty-këtu, por gjithashtu shprehet se trajneri ka detyrimin për t’u dhënë një shpjegim atyre që mbeten jashtë. Sipas Jupit, mund të kishte vënd për Cikalleshin, Uzunin dhe Baren dhe thirrja e Alijit është e panevojshme sipas tij. Ish-lojtari i Kombëtares thotë se duket qartazi që lista është bërë pa kritere. Ndër të tjera, duke folur edhe për Brajan Grudën, ai tregon një rast që e ka përjetuar vetë me Shkodran Mustafin, ndërsa mendon se Gjimshiti është lojtari më i qëndrueshëm në historinë e Shqipërisë.
Bie në sy një tkurrje në lojtarët me karakteristika sulmuese dhe një shtim të forcave në mbrojtje, pse kjo lëvizje nga Silvinjo?
Lista bën sens në numrat që ka. Ne duhet të kemi nga dy lojtarë për çdo pozicion, pastaj mbi atë numër, e zgjedh trajneri vetë. Nëse luan me ekipe që janë më Superiore se ty, patjetër që do shtojë lojtarë në mbrojtje, në raport me sulmin. Në mos gaboj janë 9 mbrojtës, 8 mesfushorë dhe 6 sulmues. Mesfusha jo dublohet, por më tepër sesa dublimi, sulmuesit janë nga dy në pozicion. Numri është i saktë. Mendoj që nga mbrojtja do ta nisim lojën tonë në Europian. Me respekt dhe inferiorë më kundërshtarin, pastaj duke parë edhe duke bërë. Në këtë aspekt lista është me numrat e duhur.
Ka hapur debat lënia jashtë e Cikalleshit dhe Uzunit, më pak Bares. Çfarë mund t’i ketë “penalizuar” këta lojtarë?
Unë mendoj që teknikisht kishte vend për të tre. Sidomos për Cikalleshin dhe Uzunin, apo edhe për Baren. Ky është një mendim shumë personal. Mendoj se një nga ata lojtarët e mbrojtjes mund të mos ishte, madje mund të flas edhe me emra sepse nuk e kam problem këtë. Nuk i gjej shumë vend Naser Alijit në këtë listë sepse nëse ne luajmë me 4 mbrojtësa, dhe anën e majtë e kemi një nga pikat më të forta të ekipit, nuk është se na duhet një zëvendësim i tretë sepse ne luajmë edhe me Hysajn që kalon nga e majta. Por, edhe një nga qendrat mund të luajë edhe i majtë, siç luajnë ekipet e mira, Siti etj, që e aplikojnë këtë ku qendrën e majtë e fusin edhe lojtar krahu. Pra, kur e bëjnë ekipe me nivel aq të lartë, mund ta bënim edhe ne. Nuk mendoj se Naser Aliji është një vlerë aq e shtuar për ekipin sa duhet të bësh një sakrificë me një emër tjetër për ta pasur atë. Kështu u hoq një nga këta. Katër portierë janë shumë, 3 do të mjaftonin. Po ashtu edhe lojtari i ri në mesfushë që kanë futur, Medon Berisha. Mund të bëhet një lojtar shumë i mirë në të ardhmen.
Atëherë, a janë të kuptueshme kriteret që Silvinjo ka përdorur për të bërë këtë listë?
Ne nuk jemi në mendjen e Silvinjos, por nëse ka kritere do të dukeshin. Është qartazi pa kritere lista. Lista është sporadike dhe momentale. E tha edhe vetë që në këto 2-3 ditët e fundit e kam bërë listën. Atë nuk duhet ta thoshte. Gjithmonë kriteret, në çdo punë, një plan të përgjithshëm mund ta ketë, pastaj ç’organizimi brenda këtij organizimi është i pranueshëm. Por, nëse ai do të kishte disa kritere të qarta, kritere, jo nënkritere, që janë këto: do shpërblej lojtarët me të cilët jam kualifikuar, do mësoj nga gabimet e së kaluarës dhe nuk do bëj ato gabime që u bënë në 2016-ën, do marr lojtarët me më shumë minuta dhe ata që janë më në formë. Një kriter tjetër mund të jetë, që është madhor dhe themelor e mund të thuash: do të marr lojtarët më të mirë në qarkullim sipas opinionit tim të strukturuar dhe të formuar pastër, më të mirët teknikisht në pozicionin e tyre dhe nuk më intereson fare as ku luan, nuk do merrem as me imazhin, as sa gola ka bërë. E nisa nga e fundit, por kjo është më e rëndësishme. Një trajner duhet të jetë shumë i pastër dhe i drejtë me veten dhe me bindjet e veta teknike në listën që bën. Kam pasur vetë fatin të bëj listë, të ekipit U-21, më të vegjël, por e kam bërë. Unë kur bëja listën, nëse isha i qartë, i pastër dhe i bindur, nuk më intereson fare diskutimet pastaj. Por, asnjë nga këto nuk më duket. Më duket njëçik si listë me efekte kolaterale, pak ndërhyrje të vogla andej-këtej, jo po këtë ta marrim, këtë ta lemë. Zakonisht këto gjëra nuk të shpërblejnë në afatgjatë në turne
INTERVISTËN E PLOTË MUND TA LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS PANORAMA SPORT