Analiza e REL: Pse është e vështirë për demokratët të gjejnë zëvendësim për Biden në zgjedhje?

Performanca e presidentit amerikan, Joe Biden, në debatin për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, i mbajtur të enjten, i ka nxitur disa dilema brenda partisë së tij, nëse duhet të gjendet një emër i ri, para garës së nëntorit.

 

Nuk ka të dhëna që Biden ka gatishmëri për t’i dhënë fund garës, dhe është pothuajse e pamundur për demokratët që të gjejnë një zëvendësim, përveç nëse ai heq dorë.

Delegatët e lidhur me emrin e Bidenit

Secili rajon në Shtetet e Bashkuara veçse i ka mbajtur zgjedhjet paraprake. Sipas rregullave të demokratëve, delegatët që ka fituar Biden, tani duhet ta mbështesin atë në Konventën që do të mbahet në javët e ardhshme, përveç nëse ai vendos të largohet prej garës.

Biden nuk ka dhënë shenja se planifikon të veprojë ashtu, dhe u ka thënë mbështetësve në Atlanta, pak pasi ka përfunduar debati, “Le ta vazhdojmë punën”.

Zëdhënësja e fushatës së Bidenit, Lauren Hitt, ka qenë edhe më e qartë, duke thënë të premten se “natyrisht që ai nuk do të heqë dorë”.

Konventat dhe rregullat për to përcaktohen prej vetë partive politike.

Komiteti Demokratik Kombëtar mund të mblidhet para se të hapet Konventa, më 19 gusht, dhe të ndryshojë mënyrën se si do të rrjedhin gjërat, mirëpo diçka e tillë ka pak mundësi të ndodhë, meqë
Biden synon edhe një mandat në Shtëpi të Bardhë.

Sipas rregullit aktual: “Delegatët e zgjedhur në konventën kombëtare, që janë zotuar për një kandidat presidencial, duhet të reflektojnë pëlqimin ndaj atij për të cilin është zgjedhur”.

A mund ta zëvendësojë Kamala Harris Bidenin?

Nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, do të garojë bashkë me Bidenin, por kjo nuk nënkupton që mund të zëvendësojë atë në garën për president.

Biden, po ashtu, nuk mund të marrë vetë vendimin që Harris ta zëvendësojë atë, nëse vendos të largohet prej garës.

Konventa Demokratike Kombëtare do të mbahet në Çikago, mirëpo partia ka thënë se do të organizojë një takim virtual për të nominuar zyrtarisht Bidenin, para se të nisin procedurat fizikisht.

Data e saktë e këtij takimi virtual nuk është caktuar ende.

Nëse Biden vendos të braktisë garën zgjedhore, Harris me shumë gjasë do t’i hyjë garës për ta zëvendësuar atë.

Nëse krijohet një skenar i tillë, atëherë ajo, bashkë me kandidatët tjerë, duhet të lobojnë për delegatët e secilit rajon amerikan, për të fituar mbështetjen e tyre në Konventë.

Diçka e tillë nuk iu ka ndodhur demokratëve prej vitit 1960, kur John F.Kennedy dhe Lyndon B. Johnson kanë garuar për vota në Konventën demokratike të atij viti në Llos Angjelles.

Kush tjetër do të mund të garonte për president nga radhët e demokratëve?
Përveç nënpresidentes, edhe figura tjera të demokratëve që e kanë mbështetur Bidenin për garën e këtij viti, kanë treguar se kanë ambicie për zgjedhjet në të ardhmen, përfshirë guvernatorin e Kalifornisë, Gavin Newsom, guvernatoren e Miçigenit, Gretchen Whitmer, atë të Pensilvanisë, Josh Shapiro, të Illinojsit, J. B. Pritzker dhe ligjvënësin e Kalifornisë në Kongresin amerikan, Ro Khanna.

Por, ka edhe figura tjera që kanë garuar kundër Bidenit në të kaluarën, por që mund të garojnë sërish, përfshirë Bernie Sandersin e Vermontit, Elizabeth Warrenin prej Masaçusetsit dhe Amy Klobucharin e Minesotës, si dhe Sekretarin amerikan për Transport, Pete Buttigieg.

Nëse Biden largohet papritur prej garës, grupet konservatore kanë sugjeruar se do të ngrenë padi, duke vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e emrit të kandidatit demokrat në fletëvotimin për zgjedhje.

Mirëpo, Elaine Kamarck, hulumtuese e lartë për politika të qeverisjes në Institutin Brookings në Uashington, e cila ka shkruar një libër për procesin e nominimit të një presidenti amerikan, ka thënë se gjykatat kanë qëndruar relativisht larg zgjedhjeve paraprake, për aq kohë sa palët në garë nuk kanë bërë asgjë në kundërshtim me Kushtetutën, sikurse shtypja e vullnetit të një votuesi mbi baza racore.

“Kushtetuta e përcakton qartë se kjo çështje është krejtësisht partiake”, ka thënë Kamarck në një intervistë para debatit.

“Çështja e nominimit të dikujt për të përfaqësuar një parti politike është çështje e asaj partie politike”./rel

Exit mobile version