Analiza e VOA: Lindja e Mesme e përçarë rreth zgjedhjes së Presidentit Trump

Njëri nga premtimet kryesore të Presidentit të sapo zgjedhur amerikan Donald Trump gjatë fushatës zgjedhore ishte se ai do t’i jepte menjëherë fund luftës ndërmjet Izraelit dhe Hamasit e Hezbollahut, dy grupeve militante që mbështeten nga Irani. Sot, zgjedhja e tij në Shtëpinë e Bardhë u përshëndet nga Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu si një “rikthim historik” ndërkohë që në Iran, monedha zyrtare pësoi rënien më të madhe historike, duke paralajmëruar sfida të reja për Teheranin.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu përgëzoi të mërkurën Presidentin Donald Trump për fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale amerikane.

“Urime për rikthimin më të madh historik! Kthimi juaj historik në Shtëpinë e Bardhë është një fillimi i ri për Amerikën dhe për një angazhim rishtas i fuqishëm për aleancën e ngushtë ndërmjet Izraelit dhe Amerikës. Kjo është një fitore e madhe!” deklaroi Kryeministri Netanyahu.

Ndërkohë sulmet izraelite ndaj grupeve militante Hamas dhe Hezbollah vazhduan në Liban dhe Gazë krahas njoftimeve për 30 viktima në qytetin Barja, vetëm një ditë pasi kryeministri izraelit shkarkoi ministrin e tij të mbrojtjes Yoav Gallant duke iu referuar mospajtimeve mes tyre rreth menaxhimit të luftës në këto dy fronte.

Kryeministri izraelit dhe Presidenti Trump kishin një marrëdhënie të afërt gjatë mandatit të kaluar të ish presidentit, por marrëdhëniet u acaruan kur Netanyahu përgëzoi Presidentin Biden për fitoren në zgjedhjet e vitit 2020. Gjatë mandatit të parë, Presidenti Trump u përpoq ta ribëjë Lindjen e Mesme duke pajtuar Izraelin dhe Arabinë Saudite dhe tani të gjithë janë në pritje të shohin se cilat do të jenë ndërhyrjet e tij në konfliktet e tanishme rajonale.

Izraelitët u bën jehonë urimeve të kryeministrit Netanyahu.

“Sot festojmë fitoren e zotit Trump. Është fitore për popullin amerikan dhe për popullin izraelit… I urojmë fat, e duam dhe e përgëzojmë”, thotë Ester Hadas, banore e Tel Avivit.

Udhëheqësit palestinezë ende nuk kanë reaguar për fitoren e zotit Trump.

Në Bregun Perëndimor, palestinezët shprehën dëshpërimi për zgjedhjen e Presidentit Trump.

“Fitorja e Trumpit për një mandat të dytë është tregues se gjakderdhja do të vazhdojë dhe shenjë se politika amerikane nuk ka ndryshuar – do të vazhdojë të mbështesë Izraelin”, thotë banori i Ramallahut, Naim Fawzi.

Në Iran, zgjedhja e Presidentit Trump ndikoi në rënien më të madhe të vlerës së valutës iraniane, një sinjal i sfidave të reja me të cilat do të përballet ekonomia e këtij vendi që ballafaqohet me sanksione ndërkombëtare për shkak të programit bërthamor. Marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë të tensionuara ndër vite, por ato u përshkallëzuan pas tërheqjes së zotit Trump gjatë mandatit të tij të parë presidencial, nga marrëveshja bërthamore me Iranin.

Qeveria iraniane ka bërë përpjekje të minimizojë ndikimin që zgjedhja e zotit Trump do të ketë për Teheranin.

“Zgjedhja e presidentit amerikan nuk ka ndonjë ndikim të veçantë tek ne. Vijat kryesore politike të Shteteve të Bashkuara dhe Republikës Islamike janë statike dhe nuk do të ndryshojnë shumë me ndryshimet e njerëzve në pushtet. Kemi bërë përgatitjet e nevojshme paraprakisht”, tha zëdhënësja e qeverisë iraniane, Fatemeh Mohajerani.

Por iranianët në rrugët e Teheranit shprehën shqetësimet e tyre.

“Trumpi do t’i intensifikojë sanksionet 100 për qind. Gjërat që nuk janë në favorin tonë do të përkeqësohen. Gjendja jonë ekonomike dhe sociale gjithsesi do të përkeqësohet”, tha studenti 22 vjeçar Amir Aghaeian.

Irani dhe Izraeli janë angazhuar në sulme të drejtpërdrejta ndaj njëri-tjetrit në muajt e fundit. Irani ka sulmuar me raketa balistike Izraelin dy herë, ndërkohë që Izraeli së fundmi sulmoi infrastrukturën të prodhimit të raketave balistike dhe dronëve në brendësi të Iranit.

Irani ka kërcënuar se do të hakmerret ndaj Izraelit, ku trupat amerikane tani kanë vendosur një sistem të sofistikuar të mbrojtjes nga raketat./VOA

Artikulli paraprakBIRN: Sistemi shëndetësor shqiptar vuan nga buxhetimi i ulët – thekson raporti
Artikulli tjetërKrimet e pasionit që tronditën Shqipërinë! Një popull që po përballet me pasojat e tragjedive emocionale