Rumania dhe Letonia, dy anëtare të NATO-s, së fundi kanë raportuar se dronët ushtarakë rusë kanë shkelur hapësirën e tyre ajrore. Asnjëri nga këto dy shtete nuk veproi ushtarakisht, edhe pse Rumania ngriti në ajër avionë luftarakë dhe e shoqëroi një dron që hyri në hapësirën e saj ajrore, por deklaroi se nuk kishte legjislacion për të vepruar.
Rumania më pas tha se “copëza të një droni rus” u gjetën “në vendin ku ai u përplas” në periferi të fshatit Periprava në Tulcea, që gjendet përgjatë kufirit mes Rumanisë dhe Ukrainës. Letonia tha se një dron kishte fluturuar në hapësirën e saj ajrore nga Bjellorusia dhe fluturakja ishte përplasur në komunën e Rezeknes.
Përderisa të rralla, incidentet me dronë dhe raketa, që pothuajse të tëra besohet se ishin të Rusisë, kanë hyrë apo janë përplasur në shtetet fqinje të Ukrainës – përfshirë në Poloni, Bullgari, Rumani, Kroacia dhe tani në Letoni – që kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Veçmas, Rumania ka vuajtur shumë nga e gjithë kjo. Ky shtet ndan një kufi prej 650 kilometrash me Ukrainës dhe ka territor që gjendet disa qindra metra larg nga portet ukrainase në lumin Danub, që kanë qenë caqe të shpeshta të sulmeve ruse.
Megjithatë, vuajtja e Rumanisë nuk krahasohet me atë të Ukrainës. Ukraina është goditur nga rreth 15.000 sulme ajrore ruse ose nga sulme me dronë që nga nisja e pushtimit, teksa sulmet janë rritur ndjeshëm që nga mesi i vitit 2023.
Rusia sulmon çdo ditë me raketa dhe dronë caqe në Ukrainë dhe deri më tani ka shkaktuar dëme prej 155 miliardë dollarësh në infrastrukturën civile, sipas vlerësimeve të fundit të Shkollës Ekonomike të Kievit. Pushtimi rus po ashtu ka vrarë mijëra civilë ukrainas, ka shkatërruar qytete dhe ka detyruar miliona njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre.
Ndoshta zyrtari më i lartë perëndimor që ka bërë thirrje për një përgjigje më të fuqishme perëndimore ndaj raketave dhe dronëve rusë ishte ministri i Jashtëm polak, Radek Sikorski. Në një intervistë dhënë së fundi për Financial Times, Sikorski tha se Polonia e ka “për detyrë” që të rrëzojë raketat ruse mbi Ukrainë.
NATO-ja ka refuzuar thirrje të tilla.
“Që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës, copëza të dronëve rusë dhe raketa në disa raste janë gjetur në territorin e aleatëve. Këto akte janë të papërgjegjshme dhe potencialisht të rrezikshme”, u tha në përgjigjen me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë nga një zyrtar i NATO-s i cili nuk deshi që të identifikohej.
“Përderisa ne e njohim të drejtën e çdo aleati që të mbrojë hapësirën e tij ajrore, ajo çfarë aleatët individualisht bëjnë për të mbështetur Ukrainën, ka rëndësi për NATO-n si tërësi. Aleatët do të vazhdojnë të konsultohen për hapat e mëtejmë për të mbrojtur territorin e aleatëve. Ajo që është e qartë është se NATO-ja nuk do të bëhet palë në konflikt”, shtoi zyrtari.
Por, disa analistë ushtarakë kanë argumentuar se duke i ndihmuar Kievit për të rrëzuar dronët dhe raketat mbi Ukrainë, së bashku me pengimin dhe eliminimin e kërcënimeve ajrore që kalojnë nëpër territorin e shteteve fqinje, diçka e tillë nuk do të ishte përshkallëzim. Ata argumentojnë se dështimi për të bërë një gjë të tillë vetëm do ta inkurajojë presidentin rus, Vladimir Putin.
“Rusia po na bën presion në shumë vende, po bëhet gjithnjë e më e bindur se ne nuk do të bëjmë asgjë”, argumentoi Ben Hodges, gjeneral amerikan në pension dhe ish-komandant i ushtrisë amerikane në Evropë. “Ka kaluar koha për të ndërmarrë hapa më aktivë për të ndihmuar Ukrainën që të fitojë, por edhe për të mbrojtur njerëzit e pafajshëm”, tha Hodges për Radion Evropa e Lirë.
“Të gjitha shtetet kanë absolutisht të drejtë për vetëmbrojtje dhe të kontrollojnë hapësirën e tyre ajrore, tokësore dhe detare. Kina dhe Rusia vazhdimisht shkelin këto hapësira. Shtetet kanë të drejtë, sipas ligjit ndërkombëtar, që të rrëzojnë fluturake të paidentifikuara në hapësirat e tyre ajrore”, argumentoi për Radion Evropa e Lirë, Alexander Crowther, kolonel në pension i ushtrisë amerikane, njëherësh hulumtues në Qendrën për Analiza të Politikave Evropiane, institut me seli në Uashington.
Kjo vjen pasi Perëndimi, kryesisht Shtetet e Bashkuara, po shqyrtojnë nëse duhet ta lejojnë Ukrainën që të përdorë raketa, që ka marrë nga Perëndimi, për të sulmuar caqet ushtarake thellë brenda Rusisë, veçmas tani pasi Rusia raportohet se ka pranuar raketa më vdekjeprurëse nga Irani.
Zyrtarët ukrainas ia parashtruan këtë kërkesë sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, dhe homologut të tij britanik, David Lammy, gjatë vizitës të tyre në Kiev më 11 shtator.
Zyrtari i NATO-s, që foli me REL-in, tha se aleanca ushtarake ka bërë “kontribute të paprecedent ndaj mbrojtjes të Ukrainës, duke shpenzuar rreth 40 miliardë euro në vit për ta mbështetur ushtarakisht Ukrainën”.
NATO, “mburojë e mbrojtjes ajrore”
Fredrik Wesslau, ish-diplomat suedez dhe hulumtues në Qendrën e Stokholmit për Studime të Evropës Lindore, së fundi ka publikuar në gazetën amerikane, Foreign Affairs, një propozim për NATO-n që aleanca të mbrojë krahun e saj lindor dhe t’i ofrojë Ukrainës perëndimore më shumë mbrojtje ajrore, për të cilën ka nevojë.
“Ideja është që të dislokohen asete tokësore dhe ajrore nga aleatët e NATO-s, për shembull sisteme Patriot apo avionë luftarakë F-16 në Poloni, Sllovaki dhe Rumani, në anën tjetër të kufirit me Ukrainën, në vendndodhje strategjike. Dhe të përdoren këto asete, pikë së pari për të penguar dronët dhe raketat ruse, hyrjen e tyre në hapësirat ajrore të këtyre aleatëve, por edhe pengimi i tyre mbi territorin e Ukrainës kur ato të jenë duke u nisur drejt NATO-s apo aleatëve të NATO-s”, shpjegoi Wesslau në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë.
Disa analistë kanë argumentuar se plane të tilla paraqesin sfida logjistike.
“Nëse do të angazhoheni me caqe mbi hapësirën ajrore ukrainase, duhet të ketë një lloj mekanizmi të koordinimit në mënyrë që armët ukrainase të mos bien në konflikt me armët e NATO-s dhe të dyja palët ta kenë të qartë identifikimin e raketave ruse”, tha William Taylor, ish-ambasadori amerikan në NATO. Këto deklarata ai i bëri gjatë një interviste dhënë së fundi për ABC News në Australi.
Përfshirja e të paktën dy komandave të kontrollit dhe disa shteteve që do të bënin dallimin mes caqeve të armikut dhe atyre miqësore “do ta bënte këtë të vështirë”, tha Taylor. “Më e mira është kur ka vetëm një sistem”.
“Në mënyrë që kjo të funksionojë do të duhej të kishte një shkallë të integrimit me mbrojtjen ajrore ukrainase”, u kundërpërgjigj Wesslau. “Deri në një masë, kjo veçse ekziston, por mendoj se ideja është që kjo, pra, kjo mburojë e mbrojtjes ajrore do të operonte nga një koalicion i shteteve që do të donin të merrnin pjesë në të”.
“E kuptoj që NATO-ja nuk do të konfrontohet me Rusinë. Megjithatë, shtetet individuale mund të mbrojë hapësirën e tyre ajrore. Sa për kujtesë, Turqia, shtet anëtar i NATO-s, ka rrëzuar një avion rus që shkeli hapësirën e saj ajrore më 2015”, tha Crowther, duke përmendur incidentin që Putini i referohet si “thikë pas shpine”.
SHBA-ja veçse ka dëshmuar se është e gatshme të ndërmarrë veprime të tilla në vende të tjera, theksoi Hodges.
“Ne e bëjmë këtë në Detin e Kuq, duke mbrojtur tregtinë ndërkombëtare kundër raketave të rebelëve Huthi dhe qytetarët izraelitë nga raketat iraniane. Pse nuk mund t’i mbrojmë civilët e pafajshëm ukrainas nga raketat ruse?”, pyeti Hodges.
Më shumë se 300 raketa dhe dronë janë lëshuar nga Irani drejt Izraelit më 13 prill, por që të gjitha u penguan para se të hynin në territorin izraelit. Forcat amerikane, britanike dhe izraelite shkatërruan pothuajse të gjithë predhat.
“Dronët iranianë, Shahed në qiejt mbi Ukrainë tingëllojnë njësoj sikurse ata mbi Lindjen e Mesme. Ndikimi i raketave balistike, nëse nuk pengohen, është i njëjtë kudo”, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, përmes një postimi në X më 15 prill.
Më vonë gjatë po asaj dite, gazetarët pyetën zëdhënësin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, pse SHBA-ja dhe aleatët kishin rrëzuar dronë mbi Izrael, por jo mbi Ukrainë.
“Dy konflikte të ndryshme, hapësira të ndryshme ajrore dhe kërcënime të ndryshme. Dhe, presidenti ka qenë i qartë që nga nisja e konfliktit në Ukrainë se SHBA-ja nuk do të përfshihet …. në konflikt, në një rol luftues”, tha Kirby.
Megjithatë, situata mund të ndryshojë, megjithëse gradualisht, me aleatët perëndimorë të Ukrainës që mund të bëhen më pak të prirë të marrin një qasje të kujdesshme.
“Shikoni, mendoj se sa më shumë që nuk reagojmë, aq më i madh bëhet rreziku në njëfarë kuptimi, për shkak se është shumë e qartë që Rusia po nxit, po shtyn, po teston dhe nëse nuk ka përgjigje do të vazhdojë edhe më tej të veprojë kështu. Prandaj, në këtë kuptim, rritet rreziku i përshkallëzimit”, shpjegoi Wesslau.
“Disa aleatë po e kundërshtojnë këtë, disa e përkrahin, por mendoj se kjo është një nga këto gjërat që bëhet më shumë temë me kalimin e kohës dhe ne shohim gjithnjë e më shumë inkursione të tilla nga dronët dhe raketat ruse”.REL