Analiza/ Presing i lartë dhe krahë fluturues, si Hansi Flik çarmatosi Realin në finalen e Superkupës

Ishte finalja e parë si trajner i Barcelonës dhe, siç paralajmëroi para ndeshjes, ai nuk i ndryshoi planet e tij.

 

Hansi Flik beson te lojtarët e tij, stilin e tij të lojës dhe madje fakti që rivali ishte Reali i Madridit dhe kishte një epërsi me Mbape, Vinicius dhe Rodrigon nuk e kushtëzuan gjermanin kur vjen puna për të planifikuar ndeshjen. E vërtetoi në “Santiago Bernabeu” tetorin e kaluar, në La Liga, ku Barça fitoi 0-4, duke rrezikuar maksimumin me pozicionin jashtë loje dhe e tregoi sërish të dielën në Arabinë Saudite, në një finale dhe me një titull në lojë (Superkupa e Spanjës).

Trajneri gjerman u qëndroi besnik bindjeve të tij taktike. Presion i lartë, duke shkaktuar disa humbje të topit nga lojtarët e Madridit. Mbrojtësit e krahut, si Kunde në të djathtë dhe Balde në të majtë, u bënë dy sulmues të tjerë, ndërsa anësorët, Lamin Jamal dhe Rafinja u futën nga brenda, duke lënë mbrojtjen bardhezi krejtësisht të zbuluar. Në fakt, pavarësisht rrezikut që ndërmori me Balde që përfundoi me golin e parë të Mbapesë, Flik e mbajti idenë e tij dhe mbrojtësi i dalë nga akademia mori gjithashtu shpërblimin e tij pak para përfundimit të pjesës së parë në një nga ndërhyrjet e tij në sulm, kur ai shënoi golin e 4-1 në një tranzicion të shpejtë. Kunde ishte gjithashtu protagonist në golin e 3-1 të Rafinjës, me një asist fantastik me një pasim nga rreth 40 metra. Përtej qasjes së tij të guximshme, Flik u shqua dhe për diçka tjetër.

Në prag të finales, Rafinja dhe Arauho, si dy nga kapitenët e ekipit, kërkuan të flisnin me të. Arsyeja, për të cilën u fol aq shumë një ditë më parë, nuk ishte tjetër veçse pyetja e trajnerit nëse do të kishte një mundësi për t’u kthyer në Barcelonë fill pas ndeshjes! Trajneri ia plotësoi këtë dëshirë duke menduar për skuadrën, por edhe duke qenë i vetëdijshëm se mund të kërkonte akoma më shumë nga lojtarët e tij në finale. E thënë më shpejt se e bërë.

Lojtarët e tij dolën si luanë që në minutën e parë në kërkim të portës së Kurtua me dy raste të pastra që portieri madrilen i shmangu, fillimisht pas një goditjeje të Lamine dhe një tjetër menjëherë nga Rafinjës. Dhe më pas, edhe pse Mbape arriti të parakalonte Realin përpara, skuadra nuk u shpërbë. Përkundrazi, vazhdoi me të njëjtën frymë, jo vetëm përmbysi golin fillestar të Madridit, por i dha një shuplakë rivalit të përjetshëm dhe mbi të duke luajtur për më shumë se gjysmë ore me një më pak për shkak të përjashtimit të Sheznit. Dy ditë përpara finales dhe i vetëdijshëm se sa kohë u desh për të kaluar një javë të tërë në Xhedah, Flik u dha lojtarëve një ditë pushimi që të mund të “shkëputeshin”.

Lojtarët i vlerësojnë këto gjeste dhe kjo u pa edhe në festë. Pasi skuadra ngriti trofeun në skenën e përgatitur për këtë rast, Flik dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij shfrytëzuan rastin për të bërë foto së bashku me titullin. Sapo e panë, të gjithë lojtarët vrapuan me nxitim për të nderuar trajnerin, duke kërcyer, duke kënduar dhe gjithashtu duke marrë pjesë në atë festë.

Flik ka arritur të krijojë një familje në dhomat e zhveshjes, ku trajneri vendos udhëzimet dhe lojtarët e tij e ndjekin atë, duke qenë pedant kur duhet të jetë si me vonesat e Kunde ose Injaki Penjës, por duke qenë më tolerant në raste të tjera. Dje ishte “festë”, por sot do t’u kërkojë sërish maksimumin, duke menduar për duelin e Kupës kundër Betisit në “Montjuiç” të mërkurën në mbrëmje. Ai nuk dëshiron relaksim. Pas titullit të parë, Flik dëshiron më shumë, ashtu si skuadra e tij.

Artikulli paraprakDrejtori i ARRSH-së, Gentian Gjyli paraqitet në SPAK! Merret në pyetje nga prokurorët e posaçëm për abuzimet me tenderat e rrugëve
Artikulli tjetërTë lidhur me bandën e Suel Çelës, Apeli i GJKKO lë në burg gjyqtaren Pajtime Fetahu dhe vëllezërit Xhino dhe Marsel Roka