Analiza/ Trazirat politike në Francë do të dobësojnë edhe më shumë Bashkimin Evropian

Ligjvënësit e opozitës rrëzuan të mërkurën qeverinë e Francës, duke thelluar krizën politike në fuqinë e dytë më të madhe ekonomike në Bashkimin Evropian dhe duke minuar kapacitetin e vendit për të miratuar ligje dhe për të vënë kontroll mbi deficitin e lartë buxhetor.

Ligjvënësit e krahut të djathtë të skajshëm dhe ata të krahut të majtë u bashkuan në mbështetje të një mocioni mosbesimi kundër Kryeministrit Michel Barnier dhe qeverisë së tij. Shumica e ligjvënësve, me 331 vota përkrahën mocionin.

Kryeministri Barnier pritet t’i dorëzojë dorëheqjen e tij dhe të qeverisë së tij Presidentit Emmanuel Macron gjatë ditës së mërkurë.

Sipas pallatit presidencial, Presidenti Macron do t’i drejtohet popullit francez me një fjalim të enjten,

Kjo është hera e parë që nga viti 1962 që një qeveri franceze humb votë-besimin . Kësaj radhe, Presidenti Macron solli krizën duke shpallur zgjedhjet e parakohshme në qershor, të cila rezultuan me një parlament të përçarë.

Me një president me fuqi të zbehur, Franca tani rrezikon që të përmbyllë vitin pa një qeveri të qëndrueshme apo buxhet për vitin 2025, ndonëse Kushtetuta lejon ndërmarrjen e masave të posaçme që do të parandalonin mbylljen e qeverisë, siç ndodh në Shtetet e Bashkuara.

Trazirat politike në Francë do të dobësojnë edhe më shumë Bashkimin Evropian, i cili po përballet edhe me shpërbërjen e koalicionit qeverisës në Gjermani pak javë para se Presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump të kthehet në Shtëpinë e Bardhë.

E majta dhe e djathta e skajshme penalizuan Kryeministrin Barnier për shkak se ai zgjodhi të shfrytëzojë fuqitë e posaçme kushtetuese për ta kaluar një buxhet që nuk gëzonte përkrahje dhe që parashihte 60 miliardë euro kursime në përpjekje për të zvogëluar deficitin buxhetor, pa marrë miratimin nga Parlamenti.

Udhëheqësja e së djathës së skajshme, Marine Le Pen deklaroi paraprakisht se rrëzimi i qeverisë ishte “e vetmja rrugë që Kushtetuta na mundëson për t’i mbrojtur francezët nga një buxhet i rrezikshëm, i padrejtë dhe ndëshkues”.

Franca tani përballet me një periudhë paqartësie të thellë politike që tashmë po shqetëson investitorët. Në fillim të kësaj jave, kosto e huamarrjës së Francës tejkaloi për një periudhë të shkurtër atë të Greqisë, e cila përgjithësisht konsiderohet si shumë më e rrezikshme.

Tani i mbetet Presidentit Macron të zgjedhë.

Tre burime i thanë agjencisë Reuters se Presidenti Macron synon të emërojë një kryeministër të ri brenda një kohe të shkurtër. Njëri prej burimeve tha se ai planifikon ta emërojë kryeministrin e ri para ceremonisë për rihapjen e Katedrales së Notre-Damit të shtunën. Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara Donald Trump pritet të marrë pjesë në atë ceremoni.

Kryeministri i ri do të përballet me të njëjtjat sfida si zoti Barnier për të miratuar ligjet, përfshirë buxhetin e vitit 2025, në një parlament të përçarë. Franca nuk mund të mbajë zgjedhje të reja parlamentare para muajit korrik.

Presidenti Macron mund të kërkojë nga Kryeministri Barnier që të qëndrojë në detyrë derisa të gjejë një kryeministër tjetër i cili do të gëzojë përkrahjen e ligjëvënësve për t’iu hapur rrugë miratimit të ligjeve.

Një qeveri në detyrë mund të propozojë masa të jashtëzakonshme për buxhetin e vitit të ardhshëm apo që përmes kompetencave të veçanta të miratojë projekt-buxhetin për vitin 2025 me dekret – ndonëse juristët thonë se ky proces bart paqartësi ligjore dhe kostoja politike do të jetë e lartë.

Rreziku për Presidentin Macron vjen nga fakti se kundërshtarët e tij mund t’ia hedhin poshtë një pas një të gjithë kandidatët për kryeministër.

Kundërshtarët e tij thonë se mënyra më e duhur për t’i dhënë fund krizës së tejzgjatur politike është që ai të japë dorëheqje, për çfarë ai nuk ka treguar gatishmëri.

Kjo situatë bart rreziqe edhe për zonjën Le Pen, e cila për vite me radhë ka bërë përpjekje që t’i bindë votuesit se partia e saj ofronte një qeveri të qëndrueshme

Përkrahësit e Kryeministrit Barnier dhe partia Bashkimi Kombëtar e zonjës Le Pen, të cilat kanë mbështetur koalicionin e pakicës, fajësojnë njëra tjetrën për krizën./VOA

Exit mobile version