ANALIZË nga Preç Zogaj: Kuadrati “800 mijë” si kazermë antidemokratike

Nga Preç Zogaj

Në fjalën e mbajtur në Kuvendin e PS-së para një muaji, me sigurinë se do të fitojë jo vetëm zgjedhjet e vitit 2025, por edhe ato të vitit 2029, pra, pesë mandate të sigurta më e pakta, kryeministri Rama, iu drejtua të pranishmëve: “Do thoni ju: Po pse, sa do rrimë ne në pushtet, 50 vjet? Po pse të mos rrimë 100, kush na e ndalon, kush na e ndalon”?

Shtrimi në këtë formë i pyetjes, që qartazi nuk është pyetje por kapardisje nga maja e kalit, i bën të paqenë në Shqipërinë e sotme dhe të dekadave të ardhshme faktorët klasikë që prodhojnë rotacionin e pushtetit në mbarë botën demokratike. Siç janë, ndër të tjera, konsumimi organik i qeverisë nga qeverisja e gjatë, korrupsioni absolut në pushtetin absolut, mërzitja dhe velja e qyetarëve me të njëten parti dhe të njëjtat fytyra në pushtet për shumë kohë. E mbi të gjitha një opozitë e reformuar që bëhet shumicë popullore me zgjedhje të lira.

Në fakt, në situatën aktuale, Shqipëria nuk ka një opozitë në nivelin e një alternative kërcënuese të pushtetit, siç duhej të ishte Partia Demokratike, e cila pandeh se mund të fitojë pa u reformuar dhe për më tepër duke u thyer hundët SHBA-ve, Britanisë se Madhe dhe Perëndimit në tërësi. Si e tillë, kjo opozitë është aseti i paçmuar mbi supet e së cilës Rama ka mundësi të hedhë vështrimin e fitimtarit thellë në kohë, si asnjë politikan në botën e lirë.

Por ambicieve të tij të shfrenuara nuk u mjafton kriza e opozitës për të qëndruar në pushtet gjatë, si liderit autokratë në Rusi, Bjellorusi, apo në disa vende të Afrikës, ku formalisht ka pluralizëm, por asnjë parti nuk e kërcënon partinë predominuese në pushtet.

Shqipëria është vend i NATO-s, aspiron të bëhet pjesë e BE-së, ka një masë të madhe qytetarësh në opozitë me qeverinë, që aktualisht janë shumicë, por ose nuk e gjejnë vetën të gjithë në partitë e opozitës, ose humbasin nëper marifetet e sistemit zgjedhor. Veç këtyre, nuk është e thenë që PD dhe partitë e tjera të vogla opozitare nuk janë duke menduar zgjidhje deri me sakrifica, shpresoj, që do të çonin në zhbllokimin e krizës dhe bashkimin e tyre nën një lidërshpip të ri para zgjedhjeve të vitit 2025.

Në këto kushte, për të evituar kostot e konsumimit, korrupsionit kapilar apo neverisë së njerëzve me jetëgjatësinë jashtë normave klasike demokratike të qeverisë, Rama me të tijtë kanë bërë një “shpikje” të rrallë, ndoshta të pashoqe në botën e lirë. Kanë shpikur rregjistrin elektoral partiak, që nuk është thjesht rregjistri i anëtarësisë, por i zgjedhësve që u duhen për të qenë parti predominuese me popullsinë që ka Shqipëria në momentin e dhënë.

Ky është kuadrati i famshëm 800 mijë, që Rama e ngriti në qiell edhe në Kongresin e kësaj vere të nxehtë kur tha: “Ne nuk jemi as njëmijë, e dymijë, jemi tetëqind mijë njerëz. Tetëqind mijë njerëz që duan ta bëjnë Shqipërinë, duan të bëhet Shqipëria”!

Po të tjerët që janë më shumë se tetëqind mijë, nuk duan të bëhet Shqipëria? – siç nënkupton vetvetiu, edhe në mos e pastë patur në mendje autori, kjo fjali e tmerrshme e një sektarizmi dhe eugjenizmi politik leninist të huaj për diskurin demokratik.

Kuadrati tetëqind mijë ka në bërthamën e vet anëtarët dhe votuesit besnikë të PS-së. Realisht ata janë shumë, PS është një parti e madhe. Por nuk janë tetëqind mijë. Kuadratin e fiksuar e mbushin njerëz të administratës së stërfryrë, që nuk duan të rrezikojnë benefitet e vendit të punës, e mbushin njerëz të tjerë pa parti apo me parti të mbetur rrugëve, interesaxhinj dhe hallexhinj të joshur apo të konvertuar me karotën e pushtetit; e mbushin kontigjente të botës së krimit të lidhur ngushtë me qeverinë në nivel qendror dhe vendor, e tjerë.
Kuadrati tetëqind mijë as rritet nga sukseset e papara që reklamon qeveria, as zvogëlohet nga skandalet dhe korrupsioni i paparë qeveritar.

Lëvizjet brenda kuadratit mbahen nën kontoll dhe përditësohen ‘non stop’ me mendësinë e mbajtjes në rrethim të një kazerme politikë në çdo centimetër të saj nëpërmjet ushtrisë së aktivistëve, patronazhistëve dhe zyrtarëve socialistë qëndrorë e vendorë të niveleve të ndryshme. Këta mundësojnë menaxhimin emër për emër të pjesëtarëve të kuadratit, deri në lëvizjet më të vogla. Këta informohen në kohë reale për vdekjet, për largimet, për hatërmbetjet dhe rebelimet e vogla, të vërteta apo të simuluara me qëllime përfitimi. Dhe bëjnë çmos të realizojnë pa humbur kohë zëvendësimet me material brenda llojit e jashtë llojit, me premtime, me ndere, përmes nxitjes së proselitizmit politik, domethënë ikjes nga partitë opozitare, duke qenë se “pushteti ka për të gjithë”.
Kuadrati duhet të jetë gjithnjë plot. Aq sa i duhet kryeministrit të një vendi të vogël në një vend të zvogëluar nga hemoragjia e pambaruar e ikjes së njerëzve jashtë. Dhe këtu qëndron ndër të tjera cinizmi i kësaj shpikjeje përverse: kuadrati-kazermë mund të menaxhohet nominalisht, çfarë është e pamundur në vende të mëdha, në vende të lira.

Kuadrati tetëqind mijë është ilustrimi perfekt i përcaktimit që jepet për demokracitë fasadë apo të kalbura ku “një minorancë e organizuar sundon mbi një mazhorancë të ç’organizuar”, siç thoshte Solzhenicini.

Kuadrati-kazermë është garancia e papërgjeshmërisë, mungesës së trasparencës dhe llogaridhënies nga qeveria. E cila, falë kuadratit, e di se do të fitojë sërish e sërish. Si bëri mirë, si bëri keq.

Kaudrati-kazermë është garanci për paligjshmërinë në shkallë të gjerë, deri në ndërtime masive pa leje në qytete dhe bregdete ku krimi në pushtet dhe pushteti në krim bëjnë ligjin.

Ashtu siç ekziston dhe për arsyet që ekziston kuadrati-kazermë është armiku i lirisë që duhet të ketë e të ushtrojë sekush në jetën e tij pa qenë i kushtëzuar nga pushteti apo krimi.

Ashtu siç ekziston dhe për arsyet që ekziston kuadrati-kazermë ka ndikimin e vet në ikjen pa mbarim të mijëra e mijëra shqiptarëve, kryesisht opozitarë, por edhe socialistë që nuk durojnë të jenë pjesë e kazermës, nuk pajtohen me reminishencat e një partie hegjemoniste në një Shqipëri të hapur, që nuk pajtohen me anjë lloj forme të segregacionit politik në vend, as në rrafshin verbal; që nuk duan të jenë e keqja e vëllezërve dhe motrave të tyre të ngjyrave të tjera politike.

Pas promovomit të krimit në politikë, çfarë ka sjellë si pasojë marrjen peng për një kohë të gjatë e sot kësaj dite të dhjetra qyteteve e fshatrave nga individë dhe grupe të narkotrafikut, kuadrati elektoral 800 mijë, që nesër, në vartësi të ikjes së njerëzve mund të zbresë shtatëqind mijë, është invencioni tjetër politik i Edi Ramës për të cilin do të ketë një vend në pjesën e keqe të historisë. Sepse shtetarët mbesin në histori jo për veprat e ndërtuara në kohën e tyre (të gjithë ndërtojnë me paratë e qytetarëve, edhe diktatorët), por parasëgjithash për gjurmët që lenë në shteformim, në zhvillimin ekonimik e kulturor, në emancipimin e shoqërisë, e tjerë.

Demokracisë, edhe kësaj tonës, nuk i mungojnë mjetet e vetmbrojtjes nga shpikjet përverse antidemokratike. (Nuk më shkon mendje të mendoj për një zgjidhje kobzezë dhe groteske njëkohësisht, kur këtu të mbesë vetëm kuadrati i Edi Ramës). Mbeten marrëdhëniet me aleatët amerikanë dhe europianë, që pasi të shohin se kuadrati-kazermë është diçka krejt tjetër nga politika elektorale normale e një partie politike, do të vënë duart në kokë e do të reagojnë. Shqipërianuk mund të jetë një ishull i vogël rus apo afrikan, ndërkohë që në Europën kontinentale nuk gjen një vend ku një parti fiton e vetme pushtetin disa legjislatura radhazi. Edhe aty ku ndodh me të rrallë diçka e tillë, si në Britaninë e Madhe përshembull, vetë partitë në pushtet bëjnë rrokadë të lidershipit brenda tyre.

Mbetet ndërkaq, më e madhje pasuri e njerëzve ku ata mund të dëshmojnë lirinë e tyre: Dhoma e fshehtë e votimeve. Atë nuk e kanë hequr e s’mund ta heqin./Liberale.al

Exit mobile version