Analizë për situatën/ “E dështuar apo e shitur”

Nga Bujar Vreto

Protestë e dështuar: sepse nuk mundi të arrijë qëllimin e saj të deklaruar, nuk arriti të bëhet e suksesshme kundër politikës qeveritare, nuk përfitoi mbështetjen e mjaftueshme publike për të arritur objektivin: 1- qeveri teknike dhe 2- të lironin nga duart e SPAK të akuzuarit për korrupsion dhe minim të demokracisë, pra dështim ose “protestë e dështuar”. Por, jo vetëm e dështuar, kjo ishte edhe protestë e shitur: sepse për tjetër çështje ishte thirrur dhe për tjetër çështje e përdorën organizatorët që financuan, duke përfshirë grupe ose individë që kanë motive të dyshimta dhe kërkojnë përfitime personale me kamuflazhin e protestës. Financimet e caktuara politike ose korporative që përdoren për të përfituar me ndikimin e tyre në marrjen e lejeve deri në 65 kate ndërtim, tendera, ofiqe që burojnë nga marrëveshjet okulte, pra quhet me gjithë të drejtën e zotit “protestë e shitur”. Është rasti të kuptojmë qartë pse organizatorët e protestes i ndryshuan qëllimet duke lënë në mes të rrugës interesat e popullit, sidomos atij opozitar dhe kanë mbrojtur interesat e tyre personale për të evituar përgjegjësitë ligjore. Nga kjo sjellje u shkaktua skepticizëm tek pjesëmarrësit në protestë dhe opinionin publik, duke dëmtuar besueshmërinë dhe qëllimet e vërteta të protestës.

Protestat dështojnë për shkaqe të ndryshme. E para arsye është mungesa ose pamjaftueshmëria e mbështetjes publike, perceptimi për përdorim dhune nga pjesëmarrës apo struktura të infiltruara. E dyta, bindja apo mungesa e një qëllimi të qartë dhe të një strategjie efektive për të arritur ndryshimin e shumëpritur, konkretisht, dhe jo të mbetet e dështuar me qëllim. E treta, presioni dhe reagimi nga autoritetet në raporte me vullnetin politik kur protestat organizohen për të luftuar korrupsionin dhe drejtuesit e këtyre protestave janë po aq të korruptuar sa edhe qeveria. Kjo situatë jo vetëm që nuk tolerohet nga autokracia që është e lidhur pazgjidhshmërisht me elementë të opozitës, por shkakton një dilemë morale dhe besueshmëri që humbet dita ditës te protestuesit apo mbarë shoqëria. Është e tmerrshme kur protestuesit mashtrohen, por akoma më e tmerrshme kur ata zhgënjehen dhe situata apatike i bën që të pajtohen me të keqen, si rrjedhojë humbet shpresa dhe me të drejtë thonë: çfarë kuptimi ka një betejë apo shumë të tilla, kur lufta do fitohet po nga hajdutëria (hiq një palë hajdutë e vendos një palë të tjerë). Organizatorët e protestave duhet të jenë të përgjegjshëm, të pakorruptuar, të qartë për kauzën dhe të drejtohen nga një kod i sjelljes që ndihmon arritjen e qëllimit pa cënuar integritetin e tyre.

Drejtuesit që drejtojnë protestën apo protestat kundër qeverisë duhet të jenë të pastër, nuk duhet që në ballë të saj apo edhe duke ndihmuar pa transparencë të përfshihen individë që janë ish-qeveritarë të korruptuar, sepse situata bëhet shumë e vështirë për besueshmërinë dhe qëllimin e protestës.

Që të shpëtojmë nga ky batak duhen marrë disa hapa të adresuara qartë: *Ti kërkojë populli opozitar drejtuesve të ndershëm që të shpjegojnë publikisht historinë e drejtuesve të opozitës, duke përfshirë masat që janë marrë dhe çfarë masash do merren për të pastruar dyshimet mbi korrupsionin e tyre. Pjesa e ndershme e opozitës duhet ta bëjë të qartë për opinionin publik dhe pjesëmarrësit në protesta historinë dhe aktivitetet e ish apo drejtuesve të saj. Opozita duhet të qartësohet, të jetë e gatshme të përballet me kritikat dhe të angazhohet në reformat e brendshme për të rritur standarde euroatlantike. Kjo duhet të përfshijë zbatimin e kodeve të sjelljes, rishikimin e strukturës së drejtimit dhe transparencën në vendimmarrje. Nëse opozita nuk ka kapacitetin ose vullnetin për të adresuar këto çështje, qytetarët dhe pjesëmarrësit në protesta duhet të krijojnë një elitë të re politike me intelektualë, pra të shqyrtojnë mundësitë e një realiteti të ri që do përballet me establishmentin e korruptuar 34 vjeçar.

Opozita duhet të jetë e hapur dhe transparente në lidhje me qëllimet, platformën dhe veprimet e saj, për përdorimin e financave, vendimmarrjet dhe proceset e brendshme duhet të jenë të qarta përfshi dhe llogaridhënien për ti dhënë besim qytetarëve. Opozita duhet të ketë një komunikim të qartë dhe të rregullt me qytetarët për të shpjeguar politikat dhe planin e saj për të ardhmen, mënyrën se si do të përmbushë premtimet e saj, si do përqendrohet në çështjet më të rëndësishme dhe të ndjeshme për qytetarët, siç janë korrupsioni, ekonomia, shëndetësia, arsimi, infrastruktura, turizmi, bujqësia dhe të ofrojë zgjidhje konkrete të besueshme për çdo çështje. Opozita duhet të bashkëpunojë me organizata shoqërore, biznese, grupet e interesit dhe të përfaqësojë një spektër të gjerë të opinionit publik. Kjo do ndihmojë, mundësojë në rritjen e legjitimitetit dhe mbështetjes të shumëpritur. Pra ndërgjegjësimi i votuesve për rëndësinë e votës dhe për ndikimin që ata kanë në rrugën drejt një qeverisjeje më të mirë dhe më të drejtë.

Popullit tonë i është mohuar liria, i është privuar demokracia, por edhe pas shembjes të komunizmit mbeti në instalacion, mbeti i indoktrinuar me prapambetje të mëdha zhvillimi, është sfiduese por detyrë të ndërmerren hapa për të përmirësuar gjendjen e tyre. Edhe pse do duhet kohë për edukimin dhe ndërgjegjësimin për të shpjeguar rëndësinë e mendimit kritik, të drejtave dhe lirive të përgjegjësive ndaj njëri tjetrit, për të siguruar akses të lirë në informacion dhe komunikim të paanshëm, duke përfshirë media të pavarura dhe platforma të hapura për diskutim dhe debate. Për të kuptuar se sa e rëndësishme është mbështetja e shoqërisë që nuk ka parti, përkrahja dhe fuqizimi i organizatave joqeveritare që promovojnë dhe mbrojnë të drejtat e njeriut, për sundimin e ligjit dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Implementimi i reformave institucionale që garantojnë dhe promovojnë llogaridhënien, transparencën, sundimin e ligjit në të gjitha nivelet e qeverisjes. Zhvillimi nuk vjen vetëm nga teoria por duhen krijuar mundësi për investime ekonomike të barabarta për të gjithë, duke përfshirë zhvillimin e infrastrukturës, ofrimin e arsimit dhe trajnimit të punës. Duhet të ndërtojmë mundësinë e dialogut dhe pajtimit përmes njohjes të padrejtësive që u janë bërë shtresave të ndryshme të shoqërisë (sepse është e papranueshme që bashkëvuajtës e bashkëfajtorë të ecim bashkë pa u rehabilituar dhe vendosur në start të barabartë të vuajturit). Duhet të inkurajojmë dialog të hapur dhe të ndershëm në mes të të gjitha grupeve të interesit për të gjetur zgjidhje të përbashkëta për sfidat.

Momenti ishte në vitin 2014 të ndaheshim njëherë e mirë dhe publikisht nga individë të korruptuar, sepse tani është mjaft e vështirë pasi ata janë në parlament dhe bëjnë gjithçka për të qëndruar në anën e gabuar, manipulojnë militantët dhe bëjnë pazare me qeverinë e kleptokatike, pra tani është një çështje e ndërlikuar dhe kërkon një qasje të kujdesshme dhe të strategjizuar. Dihet qartë se parlamenti është mbushur me hajdutë, injorantë dhe shërbëtorë të klaneve mafioze apo trekëndëshit të bermudës. Duhet të sigurohemi që komunikimi të jetë i qartë dhe i drejtë. Të përdorim fakte dhe gjuhë të qetë për të përshkruar arsyet dhe qëllimet e ndarjes me të shkuarën e korruptuar. Duhet të gjejmë bashkëpunëtorë, individë dhe grupime të tjera që ndajnë shqetësimet tona për korrupsionin, duhet të bashkëndajmë informacione dhe të mbështesim njëri-tjetrin në përcjelljen e mesazhit te publiku. Duhet të përdorim media dhe rrjetet sociale, të sigurt që po themi realitetin me qetësi dhe profesionalizëm. Duhet të mbështesim dhe bashkëpunojmë me autoritetet e drejtësisë duke vënë në dispozicion edhe prova të korrupsionit, që mund të shkojnë përtej akuzave politike në publik. Me militantët, por dhe çdo qytetar që mbështesin individë të korruptuar, është e rëndësishme të kujdesemi për të qënë sa më bindës për të vërtetën edhe pse te militantët është e vështirë të injektohet e vërteta.

Ne vuajmë sot sepse nuk u bë pastrimi i brendshëm në forcën tonë politike nga të korruptuarit, dihet që ishte dhe është një proces sfidues, por jo i pamundur, arrihet nëpërmjet hapave të caktuara përmes vullnetit politik. Ngritja dhe zbatimi i standardeve të larta etike dhe integriteti që të gjithë anëtarët e partisë duhet të respektojnë (meritokracia përmes respektimit të bazës dhe anëtarësia me votë do nxirrte jashtë të korruptuarit dhe kjo ndodhte në vitin 2014, tani situata është kristalizuar, por opozita është fragmetarizuar). Transparencë në financat e partisë, vlerësimi dhe trajnimi i anëtarëve të partisë për të rritur ndërgjegjësimin dhe kompetencën e tyre në çështjet e integritetit dhe llogaridhënies. Pavarësia e institucioneve të brendshme kontrolluese që burojnë nga Statuti dhe përgjegjshmëria e tyre për të monitoruar veprimtarinë e anëtarëve dhe udhëheqësve të partisë për shkelje të mundshme të rregullave.

Pjesëmarrja aktive e qytetarëve dhe dialogu me ta për të ndjekur veprimtarinë e partisë dhe për të siguruar llogaridhënie. Reflektim i hollësishëm mbi historinë dhe veprimtarinë e idhujve në partinë për të kuptuar ndikimin dhe pasojat e tyre në integritetin dhe reputacionin e partisë. Përqendrimi në rizgjidhjen e qëllimeve dhe vizioneve të qarta për të ardhmen e partisë, duke iu përqëndruar një drejtimi të ri dhe të përmirësuar që ndihmon në rikthimin e besueshmërisë dhe mbështetjes publike. Ndërtimi i një kulture të re politike që përmbush standardet e integritetit, transparencës dhe përgjegjshmërisë, duke u angazhuar në dialog të hapur me qytetarët dhe të interesuarit për të fituar mbështetjen dhe besimin e tyre.

Ky proces nuk është i thjeshtë, ka raste kur një rinovim i plotë mund të jetë më efektiv sesa përpjekjet për të riformatuar një strukturë ekzistuese. Rinovimi i plotë ndihmon në ndryshimin e imazhit dhe reputacionit të një partie që mund të ketë përjetuar kontroversa apo akuzime për korrupsion dhe mosintegritet kur liderët kanë humbur besueshmërinë e publikut, një ndryshim i plotë do të shërbejë si një mundësi për të filluar nga e para dhe do të krijojë mundësinë për të sjellë në krye të partisë lider të rinj me vizione të reja dhe ide inovative. Kjo do të përmirësojë aftësinë e partisë për tu përgjigjur në mënyrë më efektive ndaj sfidave të reja dhe për të kapur agjendat politike që janë të rëndësishme për qytetarët. Duhet të konsiderohet se rinovimi i plotë nuk është gjithmonë opsioni më i lehtë ose më i qëndrueshëm. Situata do shoqërohet me sfida të mëdha organizative dhe politike, duke përfshirë rezistencë nga pjesëtarët e vjetër të partisë por dhe humbjen e përvojës politike të tyre që mund të jetë e dobishme në disa rrethana. Riformatimi i strukturave ekzistuese varet nga konteksti i veçantë dhe situata e caktuar në një parti politike. Çdo vendim duhet të analizohet me kujdes për të siguruar se do të sjellë përmirësime të vërteta dhe të qëndrueshme në integritetin dhe funksionimin e partisë. Duhet të bëhen të gjitha përpjekjet që të ruajmë pasurinë e vyer të vjetër, por të pastër duke e ndarë nga të korruptuarit.

Terminologjia e majtë dhe e djathtë në politikë përdoret për të klasifikuar orientimin ideologjik të partive politike dhe individëve në një spektër politik, por a ka ndodhur kjo në vendin tonë? E vërteta është që jo, sepse në 1990 demokracinë e morën peng komunistët, partitë politike u drejtuan dhe vazhdojnë të drejtohen prej tyre, i shërbyen pikë për pikë Katovicës, nuk rehabilituan shtresat e margjinalizuara nga diktatura, pasuria publike me ligj të veçantë ju dha atyre që punonin aty, pra kush ishte i punësuar? Të gjithë ata që kishte vendosur regjimi i kuq, prona nuk iu kthye pronarit, të përndjekurit nuk i dëmshpërblyen moralisht dhe ekonomikisht, emërtimet e shkollave, rrugëve, objekteve e të tjera, jo vetëm që nuk i ndryshuan por edhe emërtimet e reja vazhduan me emra heronjsh imagjinarë apo komunistësh të devotshëm, nuk i dënuan krimet e komunizmit, nuk u bë ligji i lustracionit, nuk u rishkrua historia mbi baza autentike, nuk ju dha mundësia të krijoheshe një e djathtë apo e majtë me vizion perëndimor por thjeshtë vazhdoj projekti i partisë punës me formë tjetër dhe përmbajtje të njëjtë. E çfarë ndryshimi ka Rama nga Berisha, po Meta nga Gjinushi, e çfarë ndyshon në drejtësi apo institucione, deri dje etërit e sot bijtë, por me një ndryshim se bijtë janë më të shkolluar dhe vjedhjen më bukur, kanë uzurpuar të gjithë spektrin politik duke u fshehur pas siglave se në thelb janë një. A kemi një të majtë sot progresiste për barazinë sociale, po intervensionin e shtetit për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve, ruajtjen e mjedisit dhe mbrojtjen e grupeve minoritare? Nuk kemi sepse është një shërbëtore dhe mbrojtëse e oligarkisë kriminale. A kemi një të djathtë që përcaktohet dhe orientohet nga konservatorizmi, liritë ekonomike, mbrojtjen e traditave sociale, për një rol minimal të shtetit në ekonomi, për lirinë individuale, mbështetjen për tregun e lirë, zbatimin e ligjit dhe promovimin e vlerave të traditës. Nuk kemi një të djathtë të tillë, sepse si e majta dhe e deshtuquajtira e djathtë (që në fakt janë një), mbështet oligarkinë kriminale të krijuar nga vetë udhëheqësia 34 vjeçare. Sa bukur i kombinojnë interesat të dy anët e spektrit në platformat e tyre politike. Dihet që drejtuesit e qeverisë e të opozitës janë të lidhur dhe kanë aksionet e tyre me oligarkët, prandaj transparenca dhe llogaridhënia në Institucionet e pavarura duhet të jetë e padiskutueshme, këto institucione të bëjnë detyrën vetëm me një qëllim, ndiq paranë, atëherë do bjerë buzë e në hundë kjo klasë e korruptuar që i piu gjakun popullit.

Vendi jonë është i varfër, sepse pushteti dhe opozita vjedhin bashkë janë shkrirë në një me oligarkët, prandaj kjo situatë e rëndë dhe e përzier, duhet të mobilizojë shoqërinë civile apo elektoratin pa parti, organizatat e ndryshme, grupet e interesit për monitorimin e veprimeve të qeverisë dhe opozitës, si dhe në rritjen e ndërgjegjësimit publik.

Duhet të zbatohen standarde të larta etike për politikanët dhe të përgjigjen për veprimet e tyre kur janë të përfshirë në vepra të paligjshme dhe të mbajnë përgjegjësi ligjore. Mbështetja ndërkombëtare dhe presioni diplomatik janë të domosdoshëm në këtë situatë dhe luajnë një rol të rëndësishëm në mbështetjen e reformave dhe në zbatimin e standardeve demokratike. Forcat konstruktive duhet të mbështesin drejtësinë për të shkatërruar oligarkinë politiko-ekonomike.

Këto hapa nuk janë të lehta për tu realizuar në një vend të vogël dhe të varfër, por një angazhim i vazhdueshëm dhe i përbashkët nga pjesëtarët e shoqërisë dhe institucioneve do të çojnë në tjetërsimin e situatës që është ku thërret kiameti.

Exit mobile version