Ançeloti: Duel i fortë

Legjenda e futbollit spanjoll, Emilio Butragenjo, ka komentuar shortin e Ligës së Kampioneve që ka vënë klubin e Real Madrid, ku ai është drejtor i marrëdhënieve institucionale, përballë Napolit, duke e cilësuar ndër më të vështirët e mundshëm. “Do të jetë një përballje shumë e vështirë. Më kujtohet sfida e vitit 1987, kundër Napolit të Maradonës. U kualifikuam atëherë, por më kujtohet një ndeshje me shumë vështirësi, ashtu siç do të jetë edhe këtë radhë”, tha ai.
“Në Ligën e Kampioneve nuk ka asgjë të lehtë, diskutim që vlen sidomos kur bëhet fjalë për skuadra italiane. Napoli ka një trajner të madh dhe një përbërje të mirë, por ne jemi Real Madrid dhe duam të arrijmë një rezultat të mirë për të ecur përpara. Do të kemi motivim të lartë, ashtu si edhe ne. Duam të bëjmë një rezultat të mirë në “Santiago Bernabeu” për të mos rrezikuar në takimin e kthimit në ‘San Paolo’”, theksoi Butragjenjo, i cili beson se këtë duel do e zgjidhë skuadra dhe jo individët.
“Unë mendoj gjithmonë për skuadrën, jo për elementët në veçanti, edhe pse në fakt jam i lumtur për Kajehon. Ne te Reali kemi individë të jashtëzakonshëm, por duhet të përqendrohemi vetëm te grupi”, deklaroi ish-sulmuesi.
Në Angli shpresojnë te kthesa e fatit. Në rrjetet sociale, që kur dy skuadrat mbyllën grupet në vazo të ndryshme, të gjithë ishin thuajse të bindur se goglat e shortit do të vinin përballë Arsenalin dhe Bajern Mynihun. Një duel i tillë ka qenë i zakonshëm në vitet e fundit, gjithmonë duke parë “topçinjtë” të largohen kokëulur.
Por këtë radhë, anglezët shpresojnë që fati të ndryshojë dhe më në fund t’u buzëqeshë atyre. “Jemi për herë të 17 radhazi në fazën me eliminim direkt të Ligës së Kampioneve, që është një dëshmi e gjallë e asaj që ka sjellë Arsen Venger dhe lojtarët gjatë këtyre viteve”, deklaroi Devid Majls, sekretari i Arsenalit. “Tifozët do të mendojnë se përsëri kemi qenë pa fat në short, por në një pikë të caktuar, duhet të vijë edhe kthesa dhe ne do të arrjmë t’i mundim”, ishin fjalët e tij pas përfundimit të ceremonisë së shortit.
Nga ana tjetër, Karlo Ançeloti e ka vlerësuar këtë duel si shumë interesant dhe shpreson që të vazhdojë serinë pozitive të bavarezëve ndaj klubit anglez. “Presim me padurim dy ndeshje mjaft interesante. Unë kam besim te skuadra ime dhe shpresoj që të mund të arrijmë çerekfinalet. Arsenali ka një skuadër shumë të mirë aktualisht dhe një trajner për të cilin unë kam vlerësimin maksimal”, deklaroi trajneri italian.

Exit mobile version