Ançeloti nuk fshihet, Bayerni i tij kërkon të përsërisë suksesin e Jup Heynckes me triumfin e trefishtë. Veç të tjerash në Gjermani, situata është mëse e favorshme, 7 javë nga fundi i Bundesligës, bavarezët kanë 10 pikë avantazh ndaj Leipzig, ndërsa në Kupën e Gjermanisë i pret gjysmëfinalja me Borussia Dortmund. E vështira vjen në Champions, ku në rrugën e Bajernit është Reali i Madridit. Ançeloti gjithsesi karikon skuadrën. “Kur përjeton një moment pozitiv si ky në të cilin ndodhemi, synimi është për t’i dhënë vazhdimësi sa më gjatë të jetë e mundur”, tha Ançeloti.
Italiani përballet me ish-skuadrën e tij, me Realin fitoi La Deciman, megjithatë raportin me Bajernin e përshkruan si një dashuri me shikim të parë. “Ndihem i përfshirë në këtë ambient shumë të bukur, dhe në këtë qytet shumë të bukur. Bajerni është një klub fantastik. Në këto 9 muaj të parë janë ndier shumë mirë. Kam gjetur një skuadër shumë të përgatitur dhe kam synuar të përcjell idetë e mia. Në fillim nuk bëmë shumë mirë, por pas pauzës dimërore kemi patur më tepër rendiment”, tha trajneri i Bajernit.
Te Bajerni, Ançeloti ka gjetur një grup kampionësh, por edhe individualitete të spikatura që nuk ngurron t’i lëvdojë. “Neuer është si një kompjuter, shumë serioz dhe profesional në gjithçka bën. Është dhe argëtues si djalë, por më simpatiku është Myller, dhe kjo pjesë e karakterit e ka ndihmuar edhe në momentet më të vështira. Levëandoëski është qendërsulmuesi më i mirë i Botës në këtë moment, i ngjan shumë Inzaghit, por ka edhe lojën në ajër dhe është shumë i fuqishëm. Një lojtar që bën gol në çdo ndeshje dhe sipas meje një kandidat për të fituar Topin e Artë”, përfundoi Ançeloti.