Trajneri i ardhshëm i Bayern Munichut, Carlo Ançeloti ka kritikuar yllin e Real Madridit, Gareth Bale, për mënyrën se si ka dështuar të komunikojë me të. Ai tregoi se si agjenti i Bale kishte biseduar me presidentin Florentino Perez, në mënyrë që Ançeloti t’ia ndryshonte pozicionin në fushë. Ai tha se kishte pritur që për një gjë të tillë t’i thonte Bale, e jo kjo të bëhej nga Perez.
“Një mëngjes më thërret drejtori Gjeneral i Realit dhe më thotë se Presidenti Perez dëshiron të bisedojë me mua. Ishte e pazakontë. Kur e takova presidentin, ai më tregoi se agjenti i Bale e kishte vizituar atë dhe kishte kërkuar që t’i ndërrohej pozicioni”, ka shkruar Ançeloti në librin e tij. “Presidenti më pyeti se çfarë do të bëjmë dhe unë i thashë, asgjë. Ishte e pamundur që t’ia ndërrojmë pozicionin, pasi ashtu do të ndryshonim tërë skuadrën dhe në atë fazë të sezonit ishte e pamundur. Unë po ashtu i thashë atij se isha i befasuar që lojtari nuk ka biseduar me mua për këtë çështje, sepse për gjëra të tilla pres që të më tregojnë lojtarët”, vazhdoi ai.
Ai tha se të nesërmen bisedoi me Bale, të cilit i tregoi se kishte biseduar me Perezin dhe se ai ishte pajtuar me atë. Kujtojmë se Ançelotti në fund të atij edicioni humbi punën në Madrid, pas një edicioni të përfunduar pa trofe.