Karlo Ançeloti në qendër të kritikave. Trajneri i Bayernit të Mynihut, pas një nisjeje shumë të mirë të kampionatit, duhet të reagojë menjëherë dhe të gjejë zgjidhjet e duhura, pasi ekipi i tij këto javët e fundit lë shumë për të dëshiruar. Kjo jo vetëm për shkak të humbjes kundër Borussia Dortmund, por edhe të mënyrës së lojës. Si pasojë e kësaj ecurie me luhatje, mediat në Gjermani nuk kanë ngurruar ta vendosin italianin në bankën e të akuzuarve. Humbja kundër verdhezinjve dhe parakalimi në tabelën e klasifikimit nga skuadra e Laipzig, ka bërë që të rriten disi pakënaqësitë.
Akuzat shkojnë deri aty sa i cilësojnë bavarezët si një ekip pa identitet. Kampionët e Gjermanisë gjatë këtij sezoni kanë pasur dy takime shumë të rëndësishme ku në të dy rastet ata kanë humbur. Njëra kundër Atletico Madrid në Champions League dhe tjetra ndaj Borussia Dortmund në kampionat. Rreshtimi i trajnerit 4-3-3 duket se nuk i përshtatet Bayernit. Mbrojtja është një repart që fut ujë nga të gjitha anët. Dëmtimet gjithashtu janë një tjetër element që rëndojnë gjendjen e ekipit. Karlo Ançeloti tashmë ka detyrën t’u rikthejë bavarezëve identitetin, shkëlqimin e sigurisht kreun në tabelën e klasifikimit në Bundesligën gjermane.
Tre barazimet dhe dy humbjet e Ançelotit këtë sezon kanë vënë në rrezik edhe pozicionin e tij, të paktën për drejtorin e mediave të Dortmundit, Sasha Flige. Ky i fundit ka shkaktuar polemika gjatë konferencës për shtyp pas ndeshjes duke bërë shaka me trajnerin e Bajernit. Teksa dy trajnerët respektivë po jepnin analizat e tyre gjatë konferencës, strategu italian nxitonte pasi i duhej të kapte edhe avionin në Paderborn. Në fund drejtori i mediave të Borusias ka bërë ironi me Ançelotin.
“Nëse ka pyetje të tjera për trajnerin e Bajernit, ju lutem prisni sa t’i jap dorën. Faleminderit Karlo Ançeloti! Jeni i shkarkuar zyrtarisht. Udhëtim të mbarë dhe ju uroj suksese!”, iu drejtua Flige trajnerit të Bajernit. Me shprehjen e zëdhënësit të klubit verdhezi “Sie sind hiermit offiziell entlassen”, shumë prej përkthyesve të gjuhës gjermane janë keqkuptuar. Shprehja e drejtorit të mediave ka qenë tendencioze dhe përkthehet në formën e shkarkimit, por ai e kishte fjalën që Ançeloti mund të largohej nga podiumi.
Në fakt, drejtori i mediave të Dortmundit pa dashur u ka tejçuar një mesazh indirekt drejtuesve të klubit bavarez. Dhe sa kohë do i duhet Ançelotit për t’i dhënë ekipit imazhin dhe formën e duhur, në mënyrë që të ketë rezultate? Pas tri barazimeve dhe një humbjeje në Bundesligë në 11 ndeshje, stoli i Ançelotit edhe mund të tronditet. Nëse kampionati është i gjatë dhe italiani ka kohë të korrigjohet, fati i tij pritet të varet nga rezultatet në Champions.