Karlo Ançeloti nuk ka ndërmend të lejojë largimin e Robert Lewandowskit nga Bajerni i Mynihut. Sulmuesi polak prej kohësh po flitet për një largim të mundshëm te Reali i Madridit për t’u bashkuar me Ronaldon, Bejl dhe Benzemanë, por Ançeloti deklaroi se Lewandowski do të qëndrojë në Mynih. “Reali i Madridit ka në përbërje shumë futbollistë fantastikë si Benzema, Ronaldo dhe Bejl, tha Ançeloti në një intervistë për të përditshmen gjermane “Bild”, kjo skuadër nuk e ka aspak nevojën e Lewandowskit. Por edhe sikur të ndodhë kjo, Bajerni nuk ka ndërmend ta largojë atë. Nuk ka asnjë arsye se përse duhet të shesë një prej sulmuesve më të mirë në botë. Nuk do ta shkëmbeja Lewandowskin me asnjë tjetër”.
Në javët e kaluara, Bajerni i Mynihut siguroi shërbimin e Mats Humels dhe një prej talenteve më të spikatur, Renato Sançes për të cilin trajnerin italian deklaroi se ai do të përshtatet shumë shpejt me kampionët e Gjermanisë. “Renato është një nga lojtarët që më kanë rënë më shumë në sy -vijoi Ançeloti-klubi bëri një punë shumë të mirë, duke nënshkruar me të. Shumë klube të rëndësishëm europianë e kërkonin atë, por Bajerni u tregua më i shpejtë në këtë pikë. Sançes është lojtar fantastik dhe do të jetë një element kyç në Bajernin e së ardhmes”.
Ndërkohë, James Rodriguez vazhdon të jetë në qendër të zërave të merkatos së transferimeve. Sipas asaj që publikohet te e përditshmja spanjolle Marca, futbollisti kolumbian i Realit të Madridit po kërkohet nga disa klube të Premier League, të cilat do të kërkojnë të shfrytëzojnë situatën jo shumë të mirë të Rodriguez në skuadër.
Problemi kryesor në këtë pikë qëndron tek kërkesa dhe oferta për kartonin e futbollistit. Reali i Madridit kërkon 80 milionë euro për James Rodriguez, ndërkohë që klubet angleze ofrojnë deri në 60 milionë euro, shifër kjo që nuk konsiderohet e pranueshme nga drejtuesit e kampionëve të Europës Gjithnjë sipas “Marca”, Manchester United është në ‘pole position’ për të siguruar shpërblimin e James Rodriguez nëse ai largohet nga Reali, por gjendjen e tij po e monitorojnë edhe Chelsea e Paris Sën Zhermen.
Me largimin e Alvaro Moratës që do ta pasohet me shumë mundësi nga lamtumira e Simone Zazas, Juventusi është vënë në ndjekje të një sulmuesi dhe sipas asaj që raportojnë mediat spanjolle, objektivi i vërtetë i kampionëve të Italisë është Karim Benzema. Sulmuesi francez i cili nuk ishte pjesë e gjelave në Euro 2016-të, me rikthimin e Moratës te Reali ndoshta mund të gjejë më pak hapësira në formacionin e Los Blancos dhe kjo është një nga arsyet që Benzema mund të largohet nga gadishulli iberik gjatë kësaj vere. Për lojtarin nuk interesohet vetëm Juventusi,por edhe skuadra gjermane e Wolfsburgut edhe pse vështirë se Benzema do të pranonte të transferohej në “Volkswagen Arena”.