Ançeloti nuk varet nga Championsi

Suksesi i Karlo Ançelotit nuk varet nga fitimi i Champions League. I këtij mendimi është sulmuesi i Bayern Munich, Thomas Muller, i cili shprehet se italiani është një trajner i madh dhe nuk duhet të kryqëzohet nëse skuadra nuk arrin dot fitoren e Champions League. Kjo deklaratë e sulmuesit vjen pasi ish-trajneri i bavarezëve Pep Guardiola u vu në qendër të kritikave, sepse nuk arriti suksesin në Champions edhe pse katalanasi arrit të fitonte tre herë radhazi kampionatin. Sidoqoftë Muller është i bindur se skuadra do të zhvillojë një sezon fantastik.
“Objektivat janë të njëjtë çdo sezon. Të fitojmë në të gjitha kompeticionet ku ne marrim pjesë. Tifozët, por edhe ju gazetarët duhet të kuptoni se një skuadër, nuk vlerësohet vetëm nëse arrin suksesin e trefishtë, pasi të fitosh kampionatin ose Kupën e Gjermanisë nuk është një mision i lehtë”, u shpreh Muller.
Më tej Muller nuk preferoi të bënte krahasime mes Guardiolës dhe trajnerit aktual të kampionëve të Gjermanisë, Karlo Ançeloti. Gjithashtu në intervistën e tij ai solli në vëmendje dhe finalen e Superkupës së Gjermanisë që do të zhvillohet të dielën përballë Borussia Dortmund, trofe të cilin Bayerni nuk e ka fituar që nga viti 2012.
“Nuk dua të bëj krahasime mes Guardiolës dhe Ançelotit, pasi janë dy trajnerë që kanë dy profile të ndryshme. Përsa i përket finales së Superkupës, mund të them që përballë do të kemi një rival shumë të vështirë siç është Borussia e Dortmundit. Ky titull na mungon prej tre vitesh. Jemi shumë të motivuar për ta fituar takimin”, përfundoi Muller.

Exit mobile version