Karlo Ançeloti është prezantuar sot si trajneri i ri i Brazilit dhe ka treguar emocionet e tij për këtë detyrë në konferencën për mediat që ishte ndër më të ndjekurat në historinë e futbollit të këtij vendi.
“Po shkruajmë historinë duke vënë nën kontratë një nga trajnerët më të mirë në botë. Jam i sigurt që do e kthejë ekipin tonë në nivelin që meriton, është një moment historik dhe i gjithë Brazili duhet të jetë i lumtur”, ishin fjalët e presidentit të Federatës së Futbollit të Brazilit, Samir Çaud.
Më pas e kishte radhën Ançeloti, i cili shpjegoi entuziazmin e tij për fillimin e kësaj aventurë të re. “Është diçka shumë e bukur të marrësh drejtimin e ekipit kombëtar më të mirë në botë. Kam shumë dëshirë që të bëj një punë të mirë dhe të arrij ta shpall kampion. Është përgjegjësi e madhe. Jam shumë i lumtur dhe i kënaqur, Reali u soll mirë duke më lejuar të negocioja. Vë re që gjithçka është speciale, kam pasur gjithmonë një marrëdhënie speciale me Brazilin”, tha fillimisht ai.
“Nisa të lidhesha me Brazilin falë Falkaos, isha në një periudhë me të si lojtar. Pastaj si trajner kisha shumë lojtarë: Kafu, Kaka, Pato, Ronaldo, apo tani Vini, Rodrigo, Militao dhe Endrik. Gjithçka do të jetë ndryshe pasi do të mund të zgjedh mes tyre.
Kjo është një sfidë shumë e madhe, të fitosh një Botëror është objektivi i një shteti të tërë dhe një dashuri e pakushtëzuar ndaj ekipit do të ndihmojë shumë. Kemi këtë kalendar dhe ekipi do të jetë gati. Duhet fituar pasi janë ndeshje të rëndësishme për kualifikimin në Botëror.
Nejmar? Vjen nga një dëmtim dhe ka edhe shumë të tjerë si Xhoelinton, Militao, Ederson Rodrigo, Gabriel apo të tjerë që nuk mund të vinin për dëmtim. Ne shpresojmë të jetë Nejmar në versionin e tij më të mirë. Kam folur me të për t’ia shpjeguar dhe është dakord. Brazili ka pasur gjithmonë shumë talente.
Kasemiro? Është një lojtar i madh. Ka karizëm, personalitet dhe talent. Është i nevojshëm në një ekip kombëtar. Në futbollin modern, talentin duhet ta kombinosh me përkushtimin dhe Kasemiro e bën. Duhet krijuar një ambient i mirë rreth ekipit”, tha ndër të tjera Ançeloti në prezantimin e tij.