Pas shkarkimit nga Bayerni i Mynihut, Karlo Ançeloti ka deklaruar se do të qëndrojë pushim të paktën deri në fund të sezonit. Sigurisht që për një trajner kaq të madh është e pamundur të shmangen hipotezat përsa i përket skuadrës së radhës që do të drejtojë. Nga Anglia sugjerojnë se, Ançeloti nuk do të kthehet te Milani, sikurse është raportuar kohët e fundit nga mediat italiane, por tek Juventusi. Më konkretisht, tabloidi “Sun”, shkruan se në fund të sezonit Massimiliano Alegri do të largohet nga Juventusi, nëse nuk e fiton Championsin, për të marrë drejtimin e një tjetër klubi të madh, siç është Chelsea, ndërsa në vendin e tij do të emërohet Ançeloti, i cili i ka drejtuar bardhezinjtë për dy sezone e gjysmë në periudhën 1999-2001.
Disfata në “Parc de Prince” përballë PSG rezultoi fatale për teknikun italian Karlo Ançeloti, pasi klubi gjerman vendosi shkarkimin e tij për ta zëvendësuar me Jupp Heynckens. Nëse në Itali për trajnerët ekziston shprehja “nuk do të hajë dot panettonen e Krishtlindjes”, në Gjermani, sikurse, në vendin tonë, shtrohet pyetja “a do të arrijë ta shijojë gjelin e detit?”. Ironia këtu qëndron pikërisht në faktin se shkarkimi i Ançelotit ishte aq i befasishëm sa ka kapur të papërgatitur edhe vetë klubin gjerman, që në kalendarin e përvitshëm zyrtar ka harruar të heqë Ançelotin dhe e ka nxjerrë në shitje pikërisht me të. Ndaj, deshën s’deshën tifozët bavarezë, do t’i festojnë bashkë me Ançelotin festat e fundvitit!
Përpara ndeshjes në Ligën e Kampioneve ndaj Sportingut të Lisbonës, trajneri juventin Masimiliano Alegri, shprehet se situata në ekip është e mirë, dhe se shpreson në kthimin e kësaj situate. “Atmosfera është e mirë. Thjeshtë na duhet të rifitojmë pak balancën. Nuk duhet të futemi në depresion vetëm, sepse patëm disa rezultate jo të mira, futbolli i njeh këto periudha”, deklaroi Alegri.
I pyetur për Dibalën, dhe për kritikat që mori pas dy penalltive të humbura, tekniku tha se tashmë argjentinasi është bërë më i fortë nga kjo situatë. “Dibala është i ri dhe i jashtëzakonshëm si lojtar. Këto gjëra e kanë forcuar më shumë. Pas ndeshjeve të para ku shënoi shumë gola, të gjithë e krahasonin me Mesin, tashmë pas dy penalltive të humbura të gjithë e harruan”.