Ndryshimet taktike, lindur edhe nga nevoja, sepse ekipi ishte në disavantazh të dy golave, sollën një përmbysje të madhe për Napoli ndaj Milan dhe ide të reja për trajnerin Carlo Ancelotti.
Ndeshja ndaj Milan tregoi se Napoli mund të luajë shumë mirë me katër sulmues, Mertens dhe Milik përshtaten me njëri-tjetrin, me Jose Callejon dhe Lorenzo Insigne në krah.
Ancelotti po mendon një ndryshim nga 4-3-3 në 4-2-4 për ekipin e tij, ku faktikisht rrezikon vendin Hamsik, sepse Zielinski dhe Alan do të ishte dyshja ideale në qendër të mesfushës. Edhe Diawara jep më shumë siguri se kapiteni në këtë rol dhe me këtë skemë.
4-2-4 kërkon që Insigne dhe Callejon të sakrifikojnë edhe më shumë në fazën mbrojtëse, por është një ide që ka bërë për vete trajnerin Ancelotti, që po projekton sulmin me katër “yje”.
Napoli ka nisur punën për të blinduar Piotr Zielinski.
Lajmin e ka bërë të ditur “Corriere dello Sport”, që shpjegon se klubi italian dëshiron të firmosë një marrëveshje të re me mesfushorin polak, për të shtuar klauzolën për prishjen e kontratës, e cila aktualisht është 65 milionë euro.
Presidenti De Laurentiis do t’i ofrojë një rritje rroge dhe kohëzgjatje më të madhe për marrëveshjen, ndërsa klauzola do të shkojë në 100 milionë euro.
Zielinski, për të cilin Bonieck ka thënë se është mesfushori më i mirë në Europë, shënoi dy gola në fitoren 3-2, që Napoli arriti ndaj Milan.