Andej nga vijmë! Refleksione për librin “Një kthim në vite”

Nga Istref HAXHILLARI
Shkrimtar

(Refleksione për librin “Një kthim në vite” të Lavdërim Miminllarit)

Kur njeriu kapërcen vitet dhe cek moshën e bardhë, kthen kokën pas si udhëtarët e lodhur nga rruga e gjatë, vështron përqark i malluar. Mbi këtë dhe’ ku jemi ne sot kanë frymuar breza pafund njerëzish. Secili ka bërë jetën e tij, ka plotësuar ciklin dhe pastaj një ditë, krejt pa pritur, ka mbyllur sytë përgjithnjë. Shumica dërrmuese janë harruar, sikur të mos ekzistonin kurrë. Janë kujtuar për një farë kohe nga ata që kanë lënë pas dhe prapë janë harruar. Nuk janë të pakta rastet kur janë harruar shumë shpejt edhe nga pasardhësit e drejtpërdrejtë, që, me barrën e rëndë të jetës së vështirë, kujtohen rrallë e më rrallë.

Një grup tjetër njerëzish, natyrisht shumë më i vogël, janë ata që kanë lënë pas vepra të mëdha dhe kujtohen gjithnjë si poetët, shkrimtarët, piktorët, ose kanë bërë histori si kapedanët e mëdhenj, udhëheqësit legjendarë, mendimtarët fundamentalistë e të tjerë. Këta nuk harrohen kurrë, për ta shkruhen libra, ngrihen përmendore, këndohen këngë që përcillen brez pas brezi dhe çudisin brezat me personalitetin e tyre gjenial, me veprat që kanë bërë epokë.

Midis dy grupimeve të mësipërme qëndron një kategori tjetër e ndërmjetme të cilët, pasi ikin, kujtohen mjaft gjatë nga një rreth i caktuar njerëzish, që i kanë njohur dhe përçojnë te pasardhësit fjalët e tyre të mençura, urtësinë, humorin e hollë, zërin e ëmbël në këngët etj.

Ata kanë qenë disi ndryshe nga të tjerët.

Këtë mision merr përsipër Lavdërim Miminllari në librin e tij të parë “Një kthim ne vite”. Histori interesante, karaktere të spikatura me bëmat e tyre të pazakonta janë zhytur në mjegullnajën e kohës. Ngaqë shkrimi në kohën e tyre ishte privilegj i shumë pak njerëzve, për ta nuk u shkrua kurrgjë, nuk u thurën këngë, as monografi të përcjella nëpër breza. Mëkati është i dyfishtë. Burra dhe gra të shquara mbeten anonimë, vepra e tyre i nënshtrohet erozionit dhe precipiton drejt harresës së përjetshme. Është ky mëkat që nuk e lë të qetë autorin, e shtyn me kujdesin e arkitektit që zbulon visaret e vendit të vet për të mos lënë në harresë njerëzit e shquar të fisit apo fshatit të tij.

Xha Muharremi i ka treguar se historia e Blacës shtrihet thellë shekujve të shkuar nga koha e princit David treqind vjet para Krishtit, se dielli që lind nga maja e Malit të Thatë prek së pari Kullën dhe Shpatin mbushur me legjenda që presin të trupëzohen nga studiuesit. Dhe autori i këtij libri gërmon dheun e të parëve për të nxjerrë xhevahiret. Pasi jep fiset e fshatit, hyn në pemën gjenealogjike të familjes Miminllari për të na njohur me brezat e shkuar, njerëz të punës dhe sakrificave.

Pas përfundimit të Teknikumit Gjeologjik punon mbi njëzet vite nën tokë. Jeta e minatorëve që hynin në galeri me fjalët “U kthefshim shëndoshë” është një nga kapitujt më të dhimbshëm të librit, ku parakalojnë karaktere të guximshme plot sakrifica deri humbjen e jetë nën rrënojat e shembjeve dhe gatit. Lexuesi do të përlotet nga përshkrimet prekëse ashtu si unë kur lëçita faqet e këtij libri dhimbjeje. Dhe si ironi e fatit këta minatorë të mbetur gjallë paguhen sot me pensione qesharake. Autori përshkruan mandej përpjekjet sindikaliste për statusin e minatorit që nuk e kanë marrë as sot pas tridhjetë vitesh.

Emigrimi familjar në Amerikën e ëndrrave zë padyshim vend qendror në këtë libër të Lavdërim Miminllarit. Ai u tregon brezave vështirësitë e vendit të huaj që nuk u bë kurrë vendi i tij. Baba Rexhepi buri i ditur, shumë moshuar u bë mikpritësi i tij e dhjetëra emigrantëve nga Shqipëria. Lexuesi do të shijojë sekuenca interesante nga jeta e emigrantëve në Amerikën e largët që kërkon punë dhe vetëm punë, që u krijon të gjithëve pavarësisht nga kombësia shanse të barabarta suksesi.

Dhe autori është një shembull i tillë suksesi.

Pas vitesh të gjata pune kthehet në atdhe, ngre një biznes të thjeshtë por tejet të kulturuar për shkëmbimin e monedhave. Gjuha angleze, sjellja perëndimore e kanë bërë të njohur në Pogradec për qytetarët dhe të huajt që vizitojnë më së shumti qytetin turistik. Altruisti Lavdërim Miminllari përpiqet të ndreqë gabime dhe qëndrime nënvlerësuese të autoriteteve dhe shoqërisë civile, ngre vazhdimisht probleme, ngre zërin në të gjitha format deri te organet e shtypit me një publicistikë të mprehtë prej qytetari të angazhuar. Me kontribut vetjak financiar ringre monumentin e dëshmorëve të krahinës së vet, administron një copë toke private model në Grabovicë për t’u treguar të gjithëve se toka amtare është e shenjtë dhe po të punohet me standarde mban çdo familje fshatare.

Ky është Lavdërim Miminllari, njeriu i punë dhe i mendimit, i sakrificave dhe qytetarisë, një shembull i shkëlqyer i emigrantit të kthyer në vendin e vet, i vendosur të shfrytëzojë resurset që nuk mungojnë. Edhe libri “Një kthim ne vite” është fryt i përçapjeve për të evidentuar historinë, për të skalitur karaktere dhe njerëz të përkushtuar si pak të tjerë për vendin e vet.

Pogradec 2021/7 qershor

Artikulli paraprakMedia turke: Mafia u përfshi në transferimin e Muriqit tek Lazio
Artikulli tjetërGranit Xhaka gjithnjë e më afër Romës