Andi Lila rinovon deri në vitin 2020

Andi Lila besnik i Pas Janinës në kampionatin grek. Mesfushori i Kombëtares Shqiptare firmosi kontratën e re që e lidh me klubin helen deri në vitin 2020. Pra, për tre vite të ardhshme 31-vjeçari do të vijojë të jetë pjesë e skuadrës, së cilës iu bashkua që në vitin 2011. Bien poshtë të gjitha zërat për transferimin e mundshëm të futbollistit te Panathinaikosi apo jashtë Greqisë, pasi Lila praktikisht ka vendosur të qëndrojë në Janinë, ku është shndërruar prej vitesh idhull i tifozërisë vendasve.
Në një prononcim të shkurtër për faqen zyrtare të Pas Janinës, Lila felenderoi presidentin Giorgos Christovasilis, drejtorin sportiv Dimitris Niarchakos dhe trajnerin Giannis Petrakis për besimin e dhënë si dhe premtoi se do të japë gjithmonë më të mirën për këtë klub. Sezonin e fundit, Andi Lila është aktivizuar në 18 ndeshje në Superligën e Greqisë, duke shënuar një gol në barazimin 1-1 në shtëpi me Aekun e Athinës. Që nga viti 2011, Lila ka regjistruar 127 paraqitje në kampionat si dhe ka shënuar në total 8 gola.

Exit mobile version