“Anglia do të ketë kufizm të energjisë”, Britania i ‘përgjigjet’ Ramës: Krizë?! Ne e kemi siguruar energjinë deri në vitin 2025

Kryeministri Edi Rama pas mbledhjes së jashtëzakonshme të qeverisë, javën e kaluar deklaroi se, Britania, një ndër 7 vendet më të fuqishme, kishte hartuar një plan për kufizimin e energjisë elektrike. Faktoje.al, pasi kontaktoi zyrën e shtypit të kësaj qeverie, konfirmoi se informacioni i artikuluar nga kryeministri për Britaninë, është i pavërtetë, madje theksoi se Britania ka të garnatuar përmbushjen e kërkesave edhe për vitet 2024-2025

Vendimi i shpallur të premten, (08/10/2021) nga kryeministri Edi Rama pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave, konfirmoi se Shqipëria ka hyrë zyrtarisht në situatën e emergjencës energjetike, e cila pritet të zgjasë deri në qershor të vitit 2022.

Sipas kryeministrit Rama vendimi i emergjencës është i diktuar nga një situatë e përgjithshme e rritjes marramendëse të çmimit të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare dhe i jep qeverisë mundësinë të ndërhyjë qoftë me instrumente financiarë, qoftë edhe me instrumente të natyrës administrative.

Në po të njëjtën ditë Kryeministri, gjatë një interviste televizive theksoi se kjo krizë ka prekur vende shumë herë më të fuqishme sesa Shqipëria. Duke marrë si shembull Britanisë, Rama tha se qeveria e këtij vendi ka bërë gati një plan për kufizimin e energjisë elektrike për qytetarët e saj.

“Britania ka bërë plan të kufizimit të energjisë elektrike për shkak të prodhimit”.

Nisur nga kjo deklaratë e kryeministrit Rama, Faktoje kontaktoi me zyrën e shtypit të qeverisë britanike për të mësuar nëse ekziston një plan i tillë, siç u artikulua nga zoti Rama.

Në përgjigjen e saj, që mbërriti brenda 24 orësh, kjo strukturë na informon përmes zëdhënësit të qeverisë britanike se informacioni nuk është i vërtetë dhe se qeveria nuk ka asnjë plan të tillë.

“Faleminderit për pyetjen tuaj. Mund të konfirmojmë se Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar nuk ka në plan të kufizojë furnizimin me energji elektrike për konsumatorët në Mbretërinë e Bashkuar”, shkruhet në përgjigjen zyrtare drejtuar Faktoje.

Midis informacioneve të tjera të detajuara për mënyrat e furnizimit me energji elektrike, ky institucion na informon se shteti britanik është siguruar që përmes Tregut të Kapaciteteve (burimi kryesor për të siguruar furnizimin me energji elektrike) – të përmbushen të gjitha kërkesat e parashikuara deri në vitin 2024/2025.

Exit mobile version