Franca vijon dominimin në Grupin A të kualifikueseve të Botërorit 2018, pasi fitoi 2-1 me përmbysje përballë Suedisë. Sfidë emocionuese ajo në “Stade de France”, me suedezët që shënuan të parët me Forsberg në të 54-ën. Blutë reaguan menjëherë, duke mos i lënë kohë rivalëve të festonin. Paul Pogba barazoi vetëm shifrat vetëm pas 3 minutave, ndërsa në të 65-ën Dimitri Payet vulosi fitoren e francezëve. Gjelat ngjiten në kuotën e 10 pikëve pas 4 ndeshjeve dhe nuk e njohin humbjen, ndërsa i japin një asist Holandës të rikthehet në garën për vendin e dytë.
Goleadë e Gjermanisë në Grupin C, që fitoi 8-0 në fushën e San Marinos. Gjithçka e lehtë për panzerat, që zhbllokoi sfidën me Sami Khedira-n në të 7-ën, ndërsa dy minuta pas tij Serge Gnabry dyfishoi rezultatin. Pjesa e parë u mbyll në shifrat 3-0 pas rrjetës së Jonas Hector. Serge Gnabry realizoi golin e katërt në të 58-ën, ndërsa vend për festë kishte sërish për Jonas Hector që shënoi rrjetën e pestë të gjermanëve dhe të dytin personal. Serge Gnabry në të 76-ën realizoi tregolëshin personal të ndeshjes. Në minutat e fundit, shifrat u thelluan pas autogolit të Stefanelli-t dhe rrjetës së Kevin Volland pesë minuta përpara fundit.
Gjermania kryeson me 12 pikë të plota, përpara Irlandës së Veriut, që fitoi 4-0 ndaj Azerbajxhanit. Lafferty i hapi rrugën fitores së irlandezoveriorëve në të 27-ën, ndërsa Gareth McAuley dyfishoi shifrat në minutën e 40-të. Dy rrjetat e tjera të vendasve u realizuan në pjesën e dytë fillimisht nga McLaughlin dhe në minutat e fundit nga Chris Brunt. Me këtë sukses Irlanda e Veriut ngjitet në vendin e dytë me 7 pikë, aq sa edhe Azerbajxhani, por me fitore në sfidat direkte.
Në sfidën tjetër të Grupit C, Republika Çeke fitoi 2-1 përballë Norvegjisë. Krmencik zhbllokoi sfidën pas 11 minutave, ndërsa Zmrhal dyfishoi në startin e pjesës së dytë. Norvegjezët u zgjuan vonë dhe rrjeta e Joshua King 3 minuta nga fundi i kohës së rregullt nuk i mjaftoi për të evituar humbjen.
Polonia konsolidon kreun në Grupin E, falë fitores 3-0 në fushën e Rumanisë. Grosicki në minutat e para kaloi në avantazh miqtë. Me vendasit të hedhur në sulm në kërkim të barazimit, polakët realizuan edhe dy herë në 7 minutat e fundit me kapitenin Robert Lewandowski dhe nisën shkëputjen.
Kjo edhe falë disfatës befasuese të Malit të Zi në Armeni. Me golat e Kojaseviç dhe Stevan Jovetiç në harkun e dy minutave gjatë pjesës së parë, malazezët krijuan idenë e një fitoreje të lehtë. Por, në fraksionin e dytë të sfidës, Grigoryan në të 50-ën nisi përmbysjen e armenëve. Haroyan në të 74-ën barazoi shifrat në 2-2, ndërsa Ghazaryan në minutën e katërt të kohës shtesë i dhuroi ekipit të tij një fitore të pabesueshme.
Në sfidën tjetër të Grupit E, Danimarka fitoi 4-1 me Kazakistanin. Avantazhit të vendasve me Cornelius, kazakët iu përgjigjën menjëherë me golin e barazimit nga Suyumbayev. Christian Eriksen riktheu danezët në avantazh në të 36-ën, ndërsa Ankersen mbylli virtualisht sfidën me golin e tretë. Por, përpara fërshëllimës finale kishte kohë edhe për rrjetën e katërt të Danimarkës sërish me Eriksen.
Në Grupin F, Anglia fitoi derbin e zjarrtë me Skocinë. Një sukses më i lehtë nga sa mendohej për “Tre Luanët”, që zhbllokuan shifrat me Daniel Sturridge pas 24 minutave lojë. Adam Lallana në startin e pjesës së dytë dyfishoi shifrat për anglezët, ndërsa Gary Cahill në të 61-ën vulosi shifrat 3-0.
Anglia kryeson me 10 pikë, dy më tepër se Sllovakia që shkatërroi 4-0 Lituaninë. Adam Nemec zhbllokoi sfidën në të 12-ën, ndërsa 3 minuta më pas Kucka dyfishoi. Sllovakët mbyllën çdo diskutim prej pjesës së parë me golin e Skrtel, ndërsa Marek Hamsik në të 86-ën realizoi edhe golin e katërt për vendasit. Sllovenia ngjitet në vendin e tretë në grup, pas fitores minimale 1-0 në fushën e Maltës, me rrjetën vendimtare të realizuar nga Benjamin Verbiç në minutën e 47-të.