Anglia, ja 4 arsyet e dështimit

Aventura angleze në Euro 2016 përfundoi në mënyrën më të keqe të mundshme, por edhe në këtë kaos, duhen identifikuar fajtorët. Në krye të listës qëndron trajneri Roy Hodgson, i cili ndryshoi skuadrën pas botërorit të dështuar, duke u dhënë hapësira të rinjve pa krijuar skema strikte. Por një pikëpyetje e madhe ngrihet te çështja e ndërrimeve, pasi Hodgson u tregua shumë i ngathët në momentet kyçe. Kane ishte kopja e shëmtuar e vetvetes, Sterling një bllof i madh, ndërsa Rooney regjisor rezultoi një rol i dështuar.
Gjithsesi, Hodgson e mori përsipër gjithë përgjegjësinë, duke u larguar menjëherë nga stoli i Tre Luanëve. I dyti në radhën e të akuzuarve është Joe Hart. Një portier që shpesh herë bën gafa të pabesueshme dhe madje në momentet më kyçe. Vjen nga një sezon shumë i mirë me Manchester City, por europiani me Anglinë është pika më e ulët e karrierës së tij. Kuotat në bursë për gardianin anglez janë ulur shumë dhe tashmë ai rrezikon madje të largohet edhe nga “Citizens”, pasi Pep Guardiola një portier të tillë nuk do të dëshirojë ta ketë pjesë të skuadrës së tij. Një tjetër shkak për dështimin është edhe fakti që shpesh herë në kampin e anglezëve janë vënë në dukje diferencat me lojtarët islandezë, të cilët janë vite dritë larg në krahasim me llogaritë bankare të yjeve anglezë.
Sterling? Një djalosh i përkëdhelur që me shumë dëshirë në Angli sot do të dëshironin ta dërgonin në Islandë për t’u stërvitur me trajnerin Lars Lagerbak për të marrë shënim leksionet themelore të futbollit. Në fund, por jo më pak e rëndësishme është edhe forma fizike, një problem i vjetër për Kombëtaren e Anglisë kur konkurron në kompeticionet e rëndësishme. Sezoni i gjatë dhe pa ndalesa po bëhet një pengesë e vërtetë për të marrë maksimumin nga skuadra dhe ndoshta ka ardhur koha që federata të ndryshojë strategji.

Exit mobile version