Anjeli do të dalë para Komisionit Antimafia

Komisioni Antimafia i Parlamentit italian ka zhvilluar sot një tjetër seancë që ka parë si epiqendër të saj diskutimet rreth Juventusit dhe lidhjet e klubit me ultras që janë pjesë e familjeve mafioze. Përfundimi: presidenti i Juventusit, Andrea Anjeli, do të paraqitet para komisionit në fjalë për të dhënë dëshminë e tij.
“Ekziston gatishmëria e plotë nga ana e presidentit tonë për t’u paraqitur dhe për të dhënë kontributin e tij”, deklaroi avokati i Juventusit, Luigi Kiapero. “Kemi sqaruar që ai do të vijë këtu, pasi nuk e kishim saktësuar asnjëherë”, konfirmoi edhe Rozi Bindi, presidente e këtij komisioni parlamentar në fund të mbledhjes.
Gjithçka ka lidhje me shpërndarjen e biletave të “Juventus Stadium” të cilat klubi bardhezi ua dorëzonte krerëve të grupeve ultras, që kanë lidhje me grupet kriminale të “Ndragheta” në këmbim të sigurisë në impiant. “Ne na shqetëson fakti që ju e mohoni fenomenin, ai është dhe ekziston. Tani a vazhdoni t’ua jepni më biletat apo jo?”, ishte pyetja që Rozi Bindi i bëri sot avokatit të Juventusit, ndërsa ky i fundit e mohoi që kjo praktikë të ishte zhvilluar. Seanca të tilla do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, pasi përveç Anjelit, pritet që para komisionit të paraqiten edhe zyrtarë të tjerë të lartë të klubit bardhezi.

Exit mobile version