Andrea Anjelli përcjell optimizëm te Juventusi. Ky sezon po shkon në mënyrën më të mirë për bardhezinjtë, të cilët përveç se kryesojnë kampionatin e mbyllën në vend të parë edhe fazën e grupeve në UEFA Champions League. Në një intervistë presidenti i kampionëve të Italisë thuri elozhe për skuadrën që drejtohet nga Massimiliano Allegri, ndërkohë që foli me superlativa për këtë Juventus, madje duke thumbuar në njëfarë mënyre edhe skuadrat rivale dhe të gjithë ata që lobojnë negativisht ndaj skuadrës së Massimiliano Allegrit.
“Kanë bashkuar forcat dhe të gjithë janë kundra nesh, principi është se nuk ka rëndësi kush fiton, e rëndësishme është të mos fitojë Juvja. Ky është ambienti që na rrethon, ne duhet të luftojmë për t’u mbyllur gojën edhe dashakeqëve. Duam të vazhdojmë të fitojmë, jemi Juventusi dhe ekzistojmë për të fituar”, deklaroi fillimisht Andrea Anjelli. Më tej numri 1 i klubit bardhezi shtoi: “Kemi dy rrugë përpara, titullin e 6-shtë radhazi në Itali dhe Champions Leaguen. Duhet të marrim si shembull Usain Bolt dhe të shndërrohemi në një legjendë. Fitimi i një tjetër kampionati mund të rezultojë thjesht një formalitet për Juventusin në këtë sezon, por skuadra e Allegrit me lojtarë si Higuain, Dybala, Mandzukiç, Bonucci e Pjaniç ëndrron të fitojë edhe në Europë, pra të ngrejë lart trofeun e UEFA Champions League, një mision i vështirë, por jo i pamundur për këtë Juventus.
Xhanluixhi Bufon analizon si gjithmonë me sinqeritet të plotë sfidat që e presin Juventusin e tij nga e shtuna e në vazhdim. Madje, portieri dhe kapiteni bardhezi flet edhe për datën e tërheqjes së tij, si dhe më në fund zbulon edhe arsyen e mustaqeve të tij, të cilat prej një jave janë bërë një çështje në Itali. Nga Roma e deri te tërheqja e tij, të gjitha këto 38-vjeçari i zbulon në një intervistë për rrjetin “Sky Sport”. “Unë them se ata, së bashku me Napolin janë dy skuadrat që u kanë dhënë jetë dueleve më të bukura të viteve të fundit në kampionat. Të dyja këto klube kanë ndërmarrë një proces fitues. Nuk bëhet fjalë për një surprizë fakti që Roma na ndjek nga pranë, surprizë është fakti që ata kanë ngecur në disa ndeshje që dukej se do t’i fitonin lehtë”, u shpreh Bufon.
Ai tha më tej se është me fat që luan në një tjetër rol kundrejt Totit. “Ai ka aq klas sa mund të vërë në siklet këdo që mund të ketë pozicionin e tij në fushë. Madje, mendoj se në disa aspekte i ka përmirësuar goditjet e tij. Ai është një pikë referimi për skuadrën dhe për të gjithë qytetin e Romës”, tha Bufon. Bufon foli edhe për Topin e Artë. “Pres të prek 39-vjetorin dhe të jem në këtë moshë mes 10 më të mirëve në botë, është një kënaqësi e veçantë. Gjithsesi, edhe kjo është një garë, ku ka nga ata që qeshin dhe nga ata që fitojnë. Me përjashtim të Kristiano Ronaldos, që e meritoi çmimin, ne të tjerët thjesht duhej të kënaqeshim me pjesëmarrjen”, tha Bufon.