Ankth e tmerr nga vërshimet në Maqedoni ku humbën jetën 21 veta

Banorët e vendbanimeve të përmbytura në rrethinën e Shkupit, në vendin e quajtur Hasanbeg dhe fshatrat Stajkov, Stracincë, Rashtak dhe Haraqinë e kanë kaluar edhe një natë në ankth nga përmbytjet e shiut i përcjellë me bubullima që nuk ka ndërprerë reshjet gjatë tërë natës ndërmjet të dielës dhe ditës së hënë.
Reshjet kanë vështirësuar edhe më shumë tërheqjen e ujit nga shtëpitë e përmbytura dhe hapësirat përreth, ku ekipet e specializuara të policisë edhe ushtrisë vazhdojnë kërkimet për gjetjen e viktimave eventuale.
Sipas informacioneve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë ka arritur në 21 numri i viktimave që humbën jetën nga vërshimet, ndërkohë që mbi 70 janë të lënduar.
Në Maqedoni, të hënën është shpallur ditë zie. Këtë vendim e mori të dielën qeveria e Maqedonisë në një mbledhje të jashtëzakonshme pas vërshimeve që goditën Maqedoninë të shtunën në mbrëmje.
Qeveria gjithashtu vendosi që për 15 ditët e ardhshme të shpallet gjendje e jashtëzakonshme në Maqedoninë Veriperëndimore, që u godit më së rëndi nga vërshimet e shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm, ndërkohë që familjeve të viktimave do t’u ndihmohet me një shumë prej 300 mijë denarë (rreth 5 mijë euro).
Pritet që të formohet dhe një komision i veçantë, i cili do të dalë në terren për të verifikuar dëmet, të cilat më pas do të kompensohen, ka njoftuar qeveria e Maqedonisë.
Në Hasanbeg të Shkupit të hënën u bë varrimi i viktimave nga përmbytjet.
Daut Iseni, një qytetar nga Shkupi, për Radion Evropa e Lirë tregon për momentet e tmerrshme përderisa ka humbur të motrën Zemrije Sinanin me nipin Endrit Sinanin, ndërkohë që kishte arritur të shpëtonte mbesën dhe nipin tjetër.
“Shiu erdhi me shumë vrull, nuk kisha hapësirë. Motrës i thashë ma jep nipin dhe mbesën, të cilët arrita t’i hedh mbi tjegulla të një garazhi”.
“Dhe kur u ktheva të marr nipin tjetër dhe motrën dëgjova për herë të fundit motrën teksa më tha ‘vëlla më kap dorën’… ! Nuk munda ta kap, ajo shkoi me ujin dhe unë lart me nipin e mbesën mbi tjegulla kemi pritur tri orë derisa u largua uji”, na rrëfen Daut Iseni.
Në qytetin e Shkupit janë ngritur disa qendra ku mblidhet dhe shpërndahet ndihmë për banorët e goditur nga vërshimet.
Banorët e viseve të përmbytura thonë se kanë nevojë për gjërat elementare, për ushqim dhe veshmbathje. Ata ankohen se organet e shtetit janë duke reaguar shumë ngadalë për t’u dalë në ndihmë.
“Apeli im është pikë së pari për qeverinë dhe të gjitha institucionet e tjera të na ndihmojnë që sa më parë të largojmë ujin nga shtëpitë e përmbytura, që të mund të punojmë diçka rreth sanimit të dëmeve të mëdha”.
“Të gjithë ne këtu kemi nevojë për gjërat elementare, ujë të pijshëm, ushqim dhe rroba sepse kemi dalë vetëm me këto rroba që kemi”, thotë Ejup Bekteshi, banor nga lagjia “Hasanbeg” e Shkupit.
Në lagjen “Hasanbeg” të Shkupit dhe fshatrat Stajkovci, Stracincë, Rashtak dhe Haraqinë akoma nuk janë sanuar dëmtimet e rrjetit elektrik. Banorët në këto vise natën e kanë kaluar në errësirë.
Komunikacioni në këto vendbanime qarkullimi me automjete është i vështirësuar si rrjedhojë e automjeteve të shumta, të cilat kanë mbetur të ngujuara në baltë pas përplasjes nga rrjedha e vërshimeve.

Mes viktimave edhe fëmijë

Qeveria e Maqedonisë ka shpallur ditën e hënë ditë zie në vend, në një mbledhje të saj të jashtëzakonshme, pas vërshimeve që goditën Maqedoninë të shtunën në mbrëmje. Qeveria vendosi që në dy javët e ardhshme të mbajë gjendjen e jashtëzakonshme në Maqedoninë Perëndimore, që u godit më së rëndi nga vërshimet e shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm.
Të paktën 21 persona kanë humbur jetën pas vërshimeve që goditën Shkupin dhe pjesën veriperëndimore të Maqedonisë, kanë bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Vërshimet e shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm në mbrëmjen e të shtunës shkaktuan edhe lëndimin e dhjetëra qytetarëve të tjerë dhe bëhet me dije se ka edhe disa të zhdukur. Në mesin e viktimave është edhe një fëmijë dy vjeç.
Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë, Mitko Cavkov, tha se policia dhe institucionet e tjera të vendit me ekipet e tyre gjenden në terren, ku vazhdojnë kërkimet, duke kontrolluar çdo metër për gjetjen e viktimave.
“Mbetet që institucionet shtetërore, bashkë me qytetarët e Republikës së Maqedonisë, të aktivizohen masivisht, sepse gjatë ditëve të ardhshme na presin shumë sfida për skanimin e pasojave nga vërshimet”, ka deklaruar ministri i Punëve të Brendshme.
Nga 21 persona, 13 veçse janë identifikuar nga organet kompetente, ndërsa të tjerë janë në proces të identifikimit.
Ndërkaq, ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shkup, përmes rrjetit social Facebook, ka theksuar se ndjehet e pikëlluar nga humbja e jetëve.
“Ne jemi thellë të pikëlluar nga humbja e jetëve gjatë reshjeve të rrëmbyeshme të natës së mbrëmshme. Lutemi që të shpëtojnë personat e zhdukur, si dhe të shërohen të lënduarit. Përshëndesim qytetarët, të cilët janë organizuar për të mbledhur ushqim dhe gjësende të tjera të nevojshme për ata që janë prekur”, theksohet në postimin e ambasadës së SHBA-së, në rrjetin social FB.

Exit mobile version