Majlinda Kelmendi mes më të mirëve në mbrëmjen gala ku u shpërndanë çmimet e Shoqatës së Komiteteve Olimpike Kombëtare, për rezultatet e larta të arritura gjatë Lojërave Olimpike “Rio 2016”. Xhudistja kosovare fitoi çmimin “Zbulimi i Madh”, pasi i siguroi medaljen e artë Kosovës në xhudo në kategorinë deri 52 kg në pjesëmarrjen e parë në Olimpiadë. Gjatë fjalimit të saj emocionues, 25-vjeçarja falënderoi veçanërisht presidentin e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer, për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës.
“Është nder i madh për mua të jem sonte këtu. Fillimisht dua t’iu falënderoj për këtë çmim, që do të thotë shumë jo vetëm për mua, por për të gjithë Kosovën dhe veçanërisht për fëmijët. Kosova u bë anëtare e KON-it dy vite më parë dhe këtë vit ishte për herë të parë pjesë e Lojërave Olimpike, ku fituam medaljen e parë të artë. Jam shumë e lumtur dhe e bekuar. E gjithë kjo filloi një natë, kur në vitin 2009 Kosovën e vizitoi kryetari i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer që na ka mbështetur në çdo hap. Faleminderit zotëri President, të jam mirënjohëse për gjithçka. Faleminderit miliona e miliona herë”.