Ky ishte titulli i tretë radhazi për skuadrën dhe Ansi Agollin në kampionatin azer, me mbrojtësin shqiptar që është lojtari i huaj me më tepër ndeshje të luajtura për klubin. Qarabag-u ishte shpallur kampion disa javë më parë, por festa u zhvillua zyrtarisht vetëm pas mbylljes së edicionit. Përpara ndeshjes me AZAL Baku, Agolli dhe lojtarët e tjerë zbritën në fushë me një dedikim për titullin e tretë radhazi të fituar nga skuadra që përfaqëson qytetin e braktisur të Agdam-it.
Pas suksesit 3-0 ndaj AZAL Baku, për Qarabag-un dhe Ansi Agollin nisi festa e kampionatit, me shpërndarjen e medaljeve për fituesit dhe fotografi me titullin. Agolli është kuqeziu i tretë që u shpall kampion në këtë sezon, pas dyshes Taulant Xhaka e Naser Aliji, që fituan titullin në Zvicër me Basel.