Trafiku i madh i drogës nga Shqipëria bëhet problem për vendet fqinje. Është shefi i Luftës kundër Drogës në Policinë e Athinës, ai që jep alarmin se organizata kriminale shqiptare janë ato që furnizojnë Greqinë me lëndë narkotike.
“Problemi më i madh në Greqi në lidhje me trafikimin e drogës, janë kryesisht organizatat kriminale shqiptare, të cilat kanë marrë në dorëzim në një shkallë të lartë, tregtimin e të gjitha llojeve të drogës”, tha për zougla.gr, Shefi i Luftës kundër Drogës në Policinë e Athinës, Konstantinos Panagiotopoulos.
Gjatë 3 viteve të fundit, 2014-2017, vetëm në Athinë janë sekuestruar 484 kg kokainë, 800 kg heroinë, 9 ton 900 kg marijuanë, 387 kg hashash dhe 12.950 rrënjë “kanabis sativa”. Natyrisht që sasitë e sekuestruara janë më të mëdha, sepse operacione kryen dhe Policia Kufitare Detare dhe Krimi Ekonomik.
Në Ballkan, shkruan zougla.gr, vendi kryesor i prodhimit të marijuanës është Shqipëria, e cila furnizon gjithë Europën ose nga kufijtë e saj veriorë ose përmes linjës Greqi-Itali. “Lidhur me trafikimin e drogës, nga arrestimet e kryera, faktohet që dorë kanë organizatat shqiptare”, shprehet Panagiotopoulos.
“Nga të dhënat që kemi, shqiptarët mbeten drejtues të trafikut të kokainës në Greqi. Pas tyre vijnë grekët, serbët dhe maqedonasit, kryesisht pranë kufirit. Edhe në trafikimin e heroinës, drejtues janë shqiptarët”, thotë Shefi i Antidrogës.
Kapet me 2 kg kokainë shqiptari në Itali
Një shqiptar është kapur me 2 kg kokainë dhe është vënë në pranga nga policia italiane. Arrestimi është bërë në Bergamo, pasi në makinën e të riut shqiptar karabinierët gjetën 2 kilogramë kokainë të pastër. Bëhet fjalë për një 33-vjeçar shqiptar, me disa precedentë të vegjël kriminalë. Siç shkruajnë mediat italiane, ai ishte ndaluar nga karabinierët në rrugë.
Por menjëherë i riu kishte nisur të nervozohej, duke ngritur dyshimet tek karabinierët. Këta të fundit kishin vendosur që të kontrollonin më imtësisht makinën. Gjatë kontrollit i janë gjetur edhe 2 kilogramë kokainë e pastër. Droga ishte fshehur në fundin e sediljeve.