Antimafia italiane: Grupet shqiptare në aleancë me organizatat mafioze

Bllokimi të mërkurën nga policia shqiptare i një sasie rekord prej 614 kilogramësh kokainë me origjinë nga Kolumbia, të importuar në një konteiner me banane nëpërmjet Portit të Durrësit, është një tregues për nivelin e sofistikimit, mjetet financiare dhe shtrirjen tashmë ndërkombëtare të grupeve kriminale shqiptare. Kjo shtrirje e krimit të organizuar shqiptar përtej kufijve ndodh shpesh në aleanca dhe konflikt me organizata mafioze të përfshira në trafikun e lëndëve narkotike në Europë.
Sipas raportit të fundit për Parlamentin italian të Drejtorisë Hetimore Antimafia në Itali, DIA, grupet kriminale shqiptare kanë krijuar aleanca me organizatat mafioze italiane, duke dominuar në rajone të caktuara trafikun e kokainës dhe heroinës, biznes ky që deri para pak vitesh ishte ekskluzivitet i organizatës mafioze ‘Ndragheta.’
Për herë të parë, raporti e ka cilësuar krimin e organizuar shqiptar si një ndër organizatat e huaja kriminale që kanë një shtrirje në të gjithë Gadushullin Apenin. “Kriminaliteti shqiptar është organizata e huaj më e shtrirë në nivel kombëtar, me një aftësi të lartë ripërtëritëse të ushtarëve dhe bazave operative”, shkruan raporti i DIA-s. Rritja e përmasave të kriminalitetit shqiptar ishte në fokus të bisedimeve që Prokurori Kombëtar i Antimafias në Itali, z.Federico Cafiero De Raho, pati me drejtuesit e Prokurorisë shqiptare gjatë vizitës së tij në Tiranë më 26 shkurt 2016.

Harta e krimit shqiptar në Itali
Në 21 mars 2017, ‘Carabinieria’ italiane përmbylli operacionin policor ‘Il Moro’, duke arrestuar 11 të dyshuar nga një organizatë kriminale me bazë në Firenze, e përfshirë në trafikun e narkotikëve midis Shqipërisë dhe Italisë. Nëntë nga të arrestuarit ishin shqiptarë, të dyshuar si pjesë e të ashtëquajturit klani ‘Kasa’, që sipas DIA-s udhëhiqej nga vëllezërit Shkëlzen dhe Kastriot Kasa.
Prokurorët italianë dyshojnë se organizata e drejtuar nga dy vëllezërit Kasa, drejtonte trafikun e kokainës në një zonë që dominohej nga Camorra – organizata famëkeqe kriminale me qendër në rajonin ‘Campagna’ dhe e njohur gjithashtu si mafia napolitane. Hetuesit thonë se, organizata shqiptare siguronte të ardhura që kapin shifrën e 1.5 milionë euro në vit. Gjatë vitit 2017, Departamenti i Hetimit të Antimafias në Itali raportoi se janë zhvilluar mbi 10 operacione policore, objektivi i të cilëve ishte goditja e grupeve kriminale shqiptare. Vetëm për 6-mujorin e parë të vitit 2017 janë arrestuar 159 shtetas shqiptarë, të cilët hetuesit i cilësojnë si anëtarë të organizatave kriminale shqiptare.

Ngjarjet e rënda kriminale dhe shtrirja e grupeve shqiptare në veprimtaritë kriminale, që nisin nga vrasjet e dhunshme e deri tek kontrolli i trafikut të lëndëve të forta narkotike, ka bërë që DIA të përfshijë për herë të parë në raportin e saj profilizimin e grupeve kriminale shqiptare. Në ndryshim nga raportet paraardhëse, ai i vitit 2017-të përfshin një kapitull më vete për kriminalitetin shqiptar. Sipas raportit, organizatat kriminale shqiptare tashmë drejtojnë trafikun e kokainës, ndërsa më parë kanë qenë të përfshira në trafikun e marijuanës dhe kontrollin e prostitucionit.
“Organizatat shqiptare karakterizohen nga një strukturë organizative në formën e “klani”. Ata kanë një natyrë të dhunshme dhe lëvizshmëri të lartë në territor, gjë që u ka lejuar ta zgjerojnë në mënyrë progresive fushën e interesave kriminale”, thuhet në raportin e DIA-s, sipas të cilit grupet shqiptare shpesh i ndajnë territoret me grupet italiane, dhe operojnë në fushën e drogës, në shfrytëzimin e prostitucionit dhe në krime kundër pronës. Përdorimi i dhunës mbetet instrumenti përmes të cilit grupet kriminale shqiptare zgjidhen mosmarrëveshjet mes rivalëve.
Trafiku i kokainës dhe heroinës në disa rajone të Italisë, sipas raportit, është tashmë domen i grupeve kriminale shqiptare. Rajoni i Pulias dhe qyteti i Firences identifikohen si zona ku aleancat mes organizatave kriminale shqiptare dhe italiane janë të forta. “Kanë lindur aleanca historike me organizatat mafioze italiane. Në këtë drejtim, marrëdhënia midis klaneve shqiptare dhe kriminalitetit të ‘Pulias’ meriton të përmendet veçmas”, nënvizon raporti.

Lufta mes bandave
Qyteti i Tranit në rajonin e Foxhias përshkruhet në raportin e DIA-s italiane si një zonën nën kontrollin e grupeve mafiozë shqiptare. Përplasjet për kontrollin e trafikut të drogave të forta mes familjeve mafioze italiane, kanë nxjerrë në pah ekzistencën dhe rolin e grupeve kriminale shqiptare.
Në raport shkruhet se, një nga familjet e dala fituese në përballje mes bandave italiane tashmë është në konflikt të hapur me klanet shqiptare. “Qyteti i Tranit vazhdon të jetojë një fazë të paqëndrueshmërisë kriminale. Është një qendër nervore për furnizimin e lëndëve narkotike që vijnë nga Shqipëria. Në këtë territor grupi Cantino është në luftë me shqiptarët”, vijon raporti, sipas të cilit trafikimi i drogave të forta, veçanërisht ai i organizuar nga Shqipëria, është burimi kryesor i të ardhurave për grupet kriminale.
“Nuk është rastësi që numri i madh i grupeve shqiptare që veprojnë në Foxhia është dëshmi se si e gjithë provinca është bërë një nga nyjet themelore të trafikut kombëtar të drogës”, vlerësojnë hetuesit italianë. Duke iu referuar dy operacioneve të kryera në mesin e vitit të shkuar, të quajtur “Ballkani” dhe “Proelio”, në provincën e Agrigentos, hetuesit thonë se ato konfirmuan dyshimet mbi marrëdhëniet e ngushta që ekzistojnë mes grupeve kriminale kalabreze dhe shqiptare në kontrollin e trafikut ndërkombëtar të drogës.
Qyteti i San Severos është një tjetër zonë ku sipas raportit grupet shqiptare janë shumë aktive. Raporti thotë se qyteti është si një udhëkryq për furnizimin e armëve dhe drogave për të gjithë vendin, ku aleancat mes krimit të organizuar shqiptar dhe mafies vendase mund të ketë pasoja në të gjithë krahinën.

Karteli Ballkanik
Rruga ballkanike, sipas hetuesve italianë mbetet korridori kryesor i furnizimit të tregut evropian me lëndë narkotike, të tipit heroinë e ardhur nga Afganistani. ‘Futja e këtyre produkteve në Evropë, nëpërmjet Austrisë, Gjermanisë dhe Italisë, është një monopol i partneriteteve kosovaro-boshnjako-shqiptare. Ai që zakonisht quhet “karteli ballkanik” është një organizatë kriminale moderne dhe dinamike, e përbërë nga grupe më të vogla të quajtura “qeliza kriminale”, shpjegon raporti.
Hetuesit italianë thonë se këto organizata kriminale kanë kapacitete për të shfrytëzuar mjete të ndryshme detare (anije peshkimi, jahte dhe anije konteinerë), të cilat përmes “qelizave operative” nga Ballkani Perëndimor e zgjerojnë tregun në Evropë.
“Këto grupe përdornin brigjet shqiptare si një ndalesë në menaxhimin e fluksit dhe rishpërndarjen e drogës që vjen nga Afganistani”, shkruan raporti i DIA-s. Sipas hetuesve italianë, territori i Shqipërisë është gjithashtu një zonë e privilegjuar për të investuar kapitalin e paligjshëm për organizatat kriminale. “Grupet e njëjta do të ishin në gjendje të kapitalizonin të ardhurat e paligjshme që rrjedhin nga aktivitetet e përshkruara më sipër, duke i riinvestuar ato në Shqipëri në aktivitete si pasuri të patundshme dhe veprimtari komerciale”, shpjegon raporti mbi aktivitetin e organizatave mafioze në Itali.
Investimet e kryera nga grupet kriminale ishte një çështje e diskutuar mes Prokurores së Përgjithshme, Arta Marku dhe Prokurorit Kombëtar të Antimafias në Itali, z.Federico Cafiero De Raho, gjatë vizitës së tij në Tiranë. Palët janë dakortësuar për domosdoshmërinë e nisjes së hetimeve dypalëshe, pasi sipas kryeprokurorit italian, “krimi nuk përdor më armët, por paranë, duke u shtyrë në lidhje me ndërmjetës në shumë fusha të shoqërisë”. BIRN

Exit mobile version