Antimafia italiane, Motta: Autoritetet shqiptare nuk bashkëpunojnë kundër drogës

????????????????????????????????????

Deklaratat e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri se është zvogëluar trafiku i marijuanës, janë hedhur poshtë nga prokurori italian i Leçes, i cili thotë se bashkëpunimi mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane ka qenë më i mirë në të kaluarën, ndërsa aludon se tani autoritetet shqiptare mund të mos kenë interes ta luftojnë trafikun e drogës.
Pjesë e këtij raportimi të medias italiane është edhe kryetari i PD, Lulzim Basha, i cili nuk kursen akuzat ndaj qeverisë Rama, që sipas tij, është përgjegjëse kryesore për kultivimin e kanabis, duke përbërë një rrezik për Shqipërinë.

Kronika e plotë e “RAI3”:
“Kjo, 100 euro, 60 euro për mua, 40 për policinë”.
Udhëtimi ynë në malet e Krujës ka bërë shumë zhurmë në “Vendin e Shqiponjave”. Një ditë pas transmetimit të reportazhit të “RAI” lidhur me kultivimin e marijuanës, është shfaqur në faqe të parë nga gazeta kryesore shqiptare. Nga partitë në Parlament. Partia opozitare, PD, e drejtuar nga Lulzim Basha ka sulmuar qeverinë.
Basha: “Prodhimi i drogës është sot ekonomia kryesore e vendit. Dhe burimet njerëzore të Shqipërisë, çdo ditë e më shumë po orientohen drejt ekonomisë së kanabisit”.
E megjithatë, ministri i Brendshëm shqiptar, Saimir Tahiri na kishte thënë ekzaktësisht të kundërtën.
Tahiri: “Shqipëria nuk është një vend problematik në aspektin e trafikimit të drogës”.
Përgjigjja, Tahirit i vjen nga Leçe, nga prokurori Cataldo Motta, shefi i “Direzione Distrettuale Antimafia” (DDA) dhe drejtues i të gjitha dosjeve hetimore të trafiqeve të paligjshëm në Kanalin e Otrantos.
Motta: “Problemi është i yni, sepse 44 milje nga Vlora ndodhet Puglia që tashmë është portë tranziti për hyrjen në Europën Perëndimore”.
Puglia, portë hyrëse e kanabisit për në Europë. Vetëm në ditët e fundit gjashtë korrierë shqiptarë janë arrestuar dhe janë sekuestruar 1 ton hashash në dy operacione të ndara të “Guardia Di Finanza-s” dhe Policisë së Leçes.
Tahiri: “Besoj se statistika jote nuk është e vërtetë. Më 2013-ën kishte shumë më shumë drogë që vinte në brigjet italiane nga brigjet tona”.
E megjithatë të dhënat tona janë të njëjtat me ato të prokurorit Motta. Flasin për “boom” të vërtetë të mbërritjes së drogës në brigjet italiane.
Motta: Këtë vit kemi sekuestruar sasi shumë të mëdha. Vetëm javën e fundit të shtatorit, “Guardia Di Finanza” ka sekuestruar 3 tonë e 800 kg marijuanë.
Tonelata e tonelata marijuanë, si ka mundësi në pesë vitet e fundit? Prokurori i Leçes e ka një shpjegim.
Motta: “Bashkëpunimi që në të kaluarën ka ekzistuar me autoritetet shqiptare, është si të thuash zvogëluar disi, ndoshta ka rënë interesi nga ana e autoriteteve shqiptare”.
Deklaratat e Motta-s nuk surprizojnë kreun e PD-së që lëshon akuza të rënda ndaj qeverisë, të cilat limitohemi t’i përkthejmë fjalë për fjalë:
Basha: “Kultivimi i kanabisit në Shqipëri është lejuar ‘de facto’ nga qeveria dhe është mënyrë për të marrë fonde që shërbejnë për të blerë zgjedhjet e ardhshme”.
E gjitha kjo, shpjegon Basha, me përfshirjen e segmenteve të korruptuar të policisë që kërkojnë pjesë nga kultivuesit.
Ministri Tahiri na kishte ftuar të shihnim në shtëpinë tona plantacionet e shumta që gjithashtu zbulohen në Puglia.
Motta: “Edhe në shtëpinë tona ekzistojnë kultivimet. Sigurisht, jo kaq shumë të përhapura sa në Shqipëri. Nuk do të kishim nevojë të importojmë nga Shqipëria nëse do të kishte një situatë ekuivalente të kultivimit të kanabisit. Do të thosha se Shqipëria ka nisur të jetë një nga vendet kryesore furnizuese të substancave narkotike. Kur ne kontrollojmë një telefon, që i përket një shqiptari, në 90% të rasteve zbulohet një trafik i organizuar i trafikimit të lëndëve narkotike”.

Exit mobile version