Antimafia italiane: Në bandën e Habilajt të përfshirë edhe zyrtarë të policisë

Mediat italiane, duke iu referuar raportit të hetuesve të Antidrogës, shkruanin dje se në bandën shqiptarë që drejtohej nga Moisi Habilaj për trafikun e armëve dhe drogës nga Shqipëria janë të përfshirë edhe zyrtarë të policisë shqiptare. Sipas autoriteteve italiane, hetimet për këtë organizatë kriminale që u shkatërrua një ditë më parë gjatë operacionit të Guarda di Finanza, kanë nisur para katër vitesh dhe është dokumentuar e gjithë veprimtaria kriminale e saj. Për të zbardhur se si funksiononte kjo bandë janë përdorur metodat speciale të hetimit me përgjime telefonike dhe ambientale.
Hetuesit italianë kanë bërë përgjime telefonike dhe ka rezultuar se trafikantët shqiptarë të drogës bashkëpunonin me zyrtarë të policisë për trafikun e armëve dhe drogës drejt Italisë. ANSA shkruan se, hetimet po kryhen nga Antiterrori për shkak se banda shqiptare trafikonte nga Shqipëria armë për terroristët dhe drogë.
Nga hetimet ka rezultuar se nga anëtarët shqiptarë të kësaj organizate, fitimet kryesore i merrte Moisi Habilaj dhe dy bashkëpunëtorët e tij, Maridian Sula dhe Fatmir Minaj. Ndërkohë, për anëtarët italianë të organizatës, kryesore është cilësuar Antonio Riela, i cili ka pasur edhe precedentë të mëparshëm penalë me klane mafioze të trafikut të ilaçeve. Mediat italiane shkruajnë se 4 personat e shpallur në kërkim besohet se janë shqiptarë, për të cilët i është kërkuar policisë shqiptare arrestimi dhe ekstradimi. Sipas të njëjtave burime në hetime është përfshirë edhe antiterrorizmi për shkak se ky rrjet i trafikut kishte në fokus të tij edhe armët.
Gazetarja Klodiana Lala, duke iu referuar disa burimeve nga Prokuroria shqiptare tha se, priten arrestime nga radhët e policisë shqiptare si të lidhur me Moisi Habilajn. “Një burim i imi nga Prokuroria më pohon se Prokuroria italiane ka në hetim një sërë drejtuesish nga kupola e policisë shqiptare si të dyshuar për lidhjet me Moisi Habilajn i arrestuar në Itali për trafik droge dhe armësh nga Shqipëria në Itali. Duke u nisur nga kjo, unë mendoj se shumë shpejt do kemi edhe zyrtarë të policisë të arrestuar. Saimir Tahiri la një polici akoma edhe më të korruptuar”, tha gazetarja.

“Trëndafili i erës”/ Si Habilajt mbushën Italinë me armë dhe drogë

Pas arrestimit të kreut të bandës, Moisi Habilaj, dy shqiptarëve dhe shtatë italianëve, mediat italiane e kanë konsideruar “një organizatë të vërtetë kriminale dhe mafioze të trafikut të drogës dhe armëve”. Nga një kërkim në mediat kryesore të vendit fqinj që të gjitha i kanë dhënë hapësirë operacionit të “Guardia di Finanza” që vuri në pranga 3 shqiptarët Moisi Habilaj (39 vjeç), Maridian Sulaj (29 vjeç) dhe Fatmir Minaj (55 vjeç). Në fakt urdhër-arrestet kanë qenë 11. Përveç 3 shqiptarëve, në pranga janë vënë edhe 4 italianë, ndërsa persona të tjerë, identiteti i të cilëve nuk dihet për të cilët është lëshuar një mandat kërkimi ndërkombëtar.

“Trëndafili i erës”

Pikënisja e arrestimeve ka qenë një operacion i koduar “Trëndafili i erës”, ku u sekuestruan 20 mijë euro të thata. Nga hetimet doli në dritë se kjo bandë në vitet e fundit kishte arritur të trafikonte në Itali armë dhe drogë në sasi të mëdha. Llogariten deri në 3.5 ton marijuanë e sekuestruar në disa operacione ku janë vënë në pranga të paktën 20 korrierë. Policia italiane sekuestroi edhe shumë armë kallashnikov dhe qindra municione. Agjentët italianë zbuluan se droga do të shpërndahej në rrugët dhe sheshet e Katanias. Vlera e saj në treg ishte rreth 20 milonë euro.
Në maj 2015 mjetet detare të trupës së Mesinës dhe Komandës Operative Aeronavale interceptuan në afërsi të Riposto, një peshkarexhë që ishte nisur nga brigjet shqiptare në bordin e së cilës u zbuluan 900 kg marijuanë, 2 armë kallashnikov me karikatorë dhe qindra municione.

Si funksiononte banda

Për të zbardhur se si funksiononte kjo bandë janë përdorur metodat speciale të hetimit me përgjime telefonike dhe ambientale. Nga hetimet ka rezultuar se nga anëtarët shqiptarë të kësaj organizate, fitimet kryesore i merrte Moisi Habilaj dhe dy bashkëpunëtorët e tij, Maridian Sula dhe Fatmir Minaj. Ndërkohë, për anëtarët italianë të organizatës, kryesor është cilësuar Antonio Riela, i cili ka pasur edhe precedentë të mëparshëm penalë me klane mafioze të trafikut të ilaçeve. Mediat italiane shkruajnë se 4 personat e shpallur në kërkim besohet se janë shqiptarë, për të cilët i është kërkuar policisë shqiptare arrestimi dhe ekstradimi. Sipas të njëjtave burime në hetime është përfshirë edhe antiterrorizmi për shkak se ky rrjet i trafikut kishte në fokus të tij edhe armët.

Exit mobile version