Antimafia italiane: Trafiku i drogës që nis nga Shqipëria nuk ka ndaluar

Drejtoria e Antimafias italiane (DIA) ka bërë publik raportin e vitit 2017, ku ndër të tjera thuhet se, trafiku i drogës që nis nga Shqipëria nuk ka ndaluar. Për rajonin e Brindisit, DIA krahas klaneve vendase që janë të hershëm, ka vendosur edhe shqiptarët në listën e klaneve që janë bërë vendas. ‘Klani dominues në zonë vazhdojnë të jenë ‘mesagnesit’, të cilët karakterizohen me lidhjet e tjera të nëngrupeve kriminale të zonës, të cilët janë të shpërndarë në të gjithë provincën.
Trafiku i drogës vazhdon të jetë edhe burimi kryesor i grupeve kriminale. Por në këtë biznes janë përfshirë fuqishëm dhe me goditje të fortë shumë shqiptarëve, rezidentë në zonë, të cilët janë kthyer në partnerë me grupet vendase.

Kjo edhe falë afërsisë gjeografike me Shqipërinë, ku mbjellja e kanabisit vazhdon të jetë edhe problemi kryesor i vendit. Trafiku që nis nga Shqipëria nuk ka ndaluar gjatë 2017′, thuhet në raportin e Drejtorisë së Antimafias italiane, e cila duket se vazhdon të jetë e shqetësuar për trafikun e drogës që nis nga Shqipëria e përfundon në Brindisi, për t’u shpërndarë më pas nëpërmjet lidhjeve kriminale në zonat e tjera.
Raporti përqendrohet në ndarjen e zonës në disa më të vogla dhe analizimi i tyre. Sipas të dhënave rezulton se nuk ka një figurë të vetme që drejton krimin në rajon, por shumë organizata të vogla, shpesh familjare që janë shpërndarë në të gjithë territorin.

Ndër të tjera në raport thuhet se klani më i rëndësishëm është ai që njihet si klani i mesanjezëve, i cili karakterizohet nga një përbërje prej disa grupesh më të vogla kriminale, ku trafiku i drogës është dhe burimi më i rëndësishëm i të ardhurave. Pikërisht në këtë biznes janë të përfshirë shumë shqiptarë, rezidentë apo me leje qëndrimi të përkohshëm në zonë. Kjo sipas hetuesve italianë vjen si pasojë e afërsisë gjeografike të Shqipërisë me Italinë. Një afërsi që shfrytëzohet për importimin e sasive të konsiderueshme droge kryesisht marijuanë.

Para pak ditësh, Ministria e Brendshme italiane publikoi një raport mbi situatën e krimit, ku flitej edhe për organizatat kriminale shqiptare. Raporti i është përcjellë Parlamentit vendas dhe i referohet periudhës janar-qershor 2017. Sipas raportit, në pjesën për kriminalitetin me bazë grupet shqiptare thuhet se ato janë të mirëorganizuar dhe baza e tyre janë lidhjet farefisnore, çka e bën akoma më të vështirë përçarjen dhe evidentimin e tyre. Raporti thotë se disa grupe shqiptare në Itali ende mbështeten në rregulla dhe ligjshmëri kanunore, një kod zakonor që daton në shekullin e 15-të dhe në këtë linjë përmend edhe rastet e gjakmarrjes.

“Ky barbarizëm mund të jetë çelësi për të lexuar vrasjen e dyfishtë në nëntor 2016 në Canegrate (MI), dhe u zgjidh nga karabinierët në maj 2017 me arrestimin e porositësve”. Në atë periudhë, u vranë dy vëllezër shqiptarë nga Mirdita, Agron dhe Alban Lleshaj, 27 dhe 24 vjeç. Shkak për krimin e rëndë u bënë grupet rivale kriminale aktive në zonë.

 

Artikulli paraprakRama u paralajmërua nga Meta, por i firmosi HEC-et në Osum në dijeni të shkeljeve
Artikulli tjetërTeatri nuk i duhet më Ramës, është koha e kullave të drogës