Antony Blinken në Bruksel: Administrata e Biden do të forcojë mbështetjen për Ukrainën deri sa Donald Trump të kthehet në Shtëpinë e Bardhë

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, siguroi NATO-n se administrata e presidentit Joe Biden do të forcojë mbështetjen për Ukrainën në muajt para kthimit të zotit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe do të përpiqet të forcojë aleancën gjatë kësaj kohe.

Gjatë takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte në Bruksel, sekretari Blinken tha gjithashtu se përfshirja e trupave të Koresë së Veriut për të ndihmuar Rusinë në luftën e saj në Ukrainë “kërkon dhe do të marrë një përgjigje të vendosur”.

Presidenti i zgjedhur Donald Trump, i cili ka vënë në pikëpyetje mbështetjen ushtarake të SHBA-së për Ukrainën, thotë se do t’i japë fund shpejt luftës së Rusisë pa thënë se si do të bëjë këtë, duke ngritur shqetësime midis aleatëve të SHBA-së se ai mund të përpiqet të detyrojë Kievin të pranojë paqen sipas kushteve të Moskës. Presidenti Biden largohet nga detyra më 20 janar.

Sekretari Blinken tha pas takimit me zotin Rutte në selinë e aleancës se është diskutuar mbështetja për Ukrainën, ku forcat ruse kanë shënuar përparime në linjat e frontit lindor dhe punën që NATO-ja duhet të bëjë për të forcuar industrinë e saj të mbrojtjes.

Administrata në largim e Shteteve të Bashkuara do të “vazhdojë të mbështesë gjithçka që po bëjmë për Ukrainën” për të siguruar që ajo mund të luftojë në mënyrë efektive vitin e ardhshëm, ose të negociojë paqen me Rusinë nga një pozicion i fortë, tha ai.

Presidenti Biden do të “shfrytëzojë çdo ditë për të vazhduar të bëjë atë që kemi bërë këto katër vitet e fundit, që është forcimi i kësaj aleance”, tha sekretari Blinken, duke shtuar se zyrtarët e presidentit Biden po punojnë për të ofruar të gjithë ndihmën e miratuar nga Kongresi për Ukrainën përpara largimit nga detyra.

Duke folur për vendosjen e trupave të Koresë së Veriut në Rusi, sekretari Blinken u tha gazetarëve se marrëdhënia e Moskës me Phenianin ishte një “rrugë me dy drejtime” dhe kishte “shqetësim të thellë për atë që Rusia është duke bërë ose mund të bëjë për të forcuar kapacitetin e Koresë së Veriut”, përfshirë kapacitetin bërthamor.

Sekretari i NATO-s Rutte tha se “Rusia nuk ka fituar” në Ukrainë, të cilën e sulmoi në shkurt të vitit 2022.

“Natyrisht ne duhet të bëjmë më shumë për t’u siguruar që Ukraina mund të qëndrojë në luftë dhe të jetë në gjendje të zmbrapsë sa më shumë që të jetë e mundur sulmin rus dhe të parandalojë (Presidentin Vladimir) Putin të jetë i suksesshëm në Ukrainë”, tha ai.

Sekretari Blinken pritet të takohet më vonë me ministrin e jashtëm ukrainas Andrii Sybiha, sipas një plani të Departamentit të Shtetit.

Ai do të takohet gjithashtu me komandantin e lartë të NATO-s për Evropën, gjeneralin Christopher Cavoli, zyrtarë të lartë të BE-së dhe sekretarin e Jashtëm britanik David Lammy.

Exit mobile version