Anulimi i Ligjit për Arsimin e Lartë në shesh

Kryetari i opozitës deklaroi dje se Ligji për Arsimin e Lartë do të anulohet që ditën e parë të ardhjes në qeveri të PD dhe akti do të ndodhë po në atë shesh të lirisë ku mijëra të rinj protestojnë prej më shumë se 31 ditësh. Basha e bëri deklaratën në ditën e 31 të protestës, ndërsa përsëriti qëndrimin se 30% e emrave te listat e deputetëve do të jenë nga rinia.
“Të rinjtë duhet të jenë pararojë dhe pjesëmarrës të Republikës së re edhe përmes pjesëmarrjes në politikëbërje”, tha Lulzim Basha.
“Republika e re do të garantojë një shtet ligjor funksional, ku ligji shkruhet dhe votohet në emër të çdo shqiptari, zbatohet njësoj për çdo shqiptar. Republika e re e garanton këtë përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk do të thotë thjesht dhe vetëm rregulla loje me zbatime, por do të thotë edhe rregulla loje brenda partisë, do të thotë qarkullim elitash, do të thotë sa më shumë të rinj e të reja në Parlamentin e Republikës së re. Sa më takon mua një e treta e kandidatëve të PD në zgjedhjet e lira dhe të ndershme do të jeni ju të rinj e të reja të PD, të rinj e të reja shqiptarë”.
Politikat e kabinetit të tij në momentin e parë të marrjes së pushtetit, do të sigurohen për mbrojtjen e interesit të të rinjve dhe xhepave të familjeve të tyre e jo oligarkëve shqiptarë, tha Basha.
“Kur ju, kur qytetarët të kenë vendosur me zgjedhje të lira dhe të ndershme, qeveria e dalë nga vota juaj dhe kryeministri që ju do të zgjidhni do të konkretizohet me një akt. Këtu, në këtë shesh, orën e parë të betimit të kabinetit të Republikës së re, do të firmoset anulimi i Ligjit për Arsimin e Lartë. Arsimi i lartë publik do të jetë me tarifa të përballueshme nga çdo i ri dhe e re shqiptare. 10 mijë të rinj do të paguhen nga Republika e re çdo vit me stazhe 1-vjeçare për të ndërtuar urën mes bankave të universitetit dhe tregut të punës”, tha Basha.
Basha tha se korrupsioni në fund do të dorëzohet, por ajo që së bashku me qytetarët nisi një muaj më parë, do të vazhdojë të shpërndahet anembanë Shqipërisë si ëndrra më e bukur dhe projekti më i dëlirë që prej Shqipërisë së vitit 1990.
Kryetari Lulzim Basha në bashkëbisedim me të rinj dhe të reja shqiptare në sheshin e lirisë tha se në Republikën e re, qeveritari do të ulë kokën para qytetarit, dhe jo qytetari para qeveritarit.
Paraditen e 20 marsit kryetari i PD, Lulzim Basha bashkëbisedoi me rininë shqiptare në sheshin e lirisë lidhur me problemet e shumta të shkaktuara nga qeverisja, por dhe për shpresën e besimin për të dalë nga kriza, për entuziazmin që ka ngjallur projekti i Republikës së re.
Pjesëmarrës në forum ishin të rinj dhe të reja të penalizuar nga reforma e arsimit të lartë, një ligj që ka sakrifikuar ëndrrat dhe të ardhmen e qindra studentëve shqiptarë.

Revolta e të rinjve

Barbara Doda, studente e arkitekturës tha se realiteti me të cilën përballen studentët sot është shumë larg atyre vlerave europiane në të cilat rinia sot beson dhe aspiron.
Gerald Metko tregoi eksperiencën e tij, ku si student me mesatare 9.11 në gjimnaz dhe me rezultate maksimale në provimet e maturës, u gjend jashtë bankave të shkollës pasi nuk arriti të fitonte asnjë degë universiteti.
Marash Logu, student i Fakultetit të Drejtësisë në Shkodër hoqi një paralele mes protestës së studentëve të viteve ’90. Duke cituar profesor Artan Fugën, i cili e quan sheshin e qytetarëve si çadrën e lirive politike, Logu tha se ashtu si 27 vite më parë edhe kërkesat e qytetarëve sot fillojnë me zgjedhje të lira e të ndershme dhe përmes qëndresës popullore dhe mbështetjes intelektuale dhe ndërkombëtare po kthehet në gurin e themelit të Republikës së re.
Belind Këlliçi tha se të rinjtë dhe të rejat shqiptare sot kanë dy modele mes të cilëve të zgjedhin. Fillimisht është modeli i kryeministrit Rama, Shqipëria për njerëzit si Armando Prenga, Elvis Rroshi dhe gjithë kriminelët, të cilët i veshi me pushtet. Modeli tjetër është ai i vlerave europiane i propozuar nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Lulzim Basha i tha të rinjve të mbledhur në forum, se ashtu si çdo i ri që i është bashkuar kauzës për zgjedhje të lira e të ndershme, janë në ballë të kësaj proteste dhe do të jenë edhe në ballë të Republikës së re që po vjen.

Rama është braktisur nga faktori ndërkombëtar

Lulzim Basha u përgjigjet sulmeve të Edi Ramës ndaj politikanëve të huaj që mbështesin kauzën e zgjedhjeve të lira. Duke iu referuar rastit më të fundit me senatorin italian Aldo di Biagio dhe sulmeve ndaj tij të kryeministrit, Lulzim Basha dha një mesazh. “Mbrëmë ky lëshoi traktin e radhës kundër senatorit të nderuar italian. Edi Rama është braktisur nga faktori ndërkombëtar dhe është bërë subjekt i barcaletave në qarqet diplomatike dhe politike nga Brukseli në Uashington. I dëshpëruar nga ky realitet shkruan trakte natën kundër miqve ndërkombëtarë të Shqipërisë, ia çon fletushkave të tij që ta botojnë herët në mëngjes dhe pastaj pasdite boton në Facebook këtë që paska botuar fletushka e tij që në fakt është trakt i Edi Ramës që ka shkruar vetë natën”. Basha e quan këtë lëvizje si vazhdimësi të antagonizmit të tij ndaj mbështetësve që vijnë nga Europa drejt sheshit të lirisë. “E mbani mend apo jo si iu vërsul Presidentit Donald Trump duke e quajtur në ‘CNN’, turpi i civilizimit? E mbani mend si iu vërsul, krahut të djathtë të kancelares Merkel, Gunther Kriuchbaum, e quajti deputet skutash? Ky që nuk ka lënë të burgosur për narkotrafik dhe përdhunim pa bërë deputet dhe kryetar bashkie, i thotë Kriuchbaum, deputet skutash. Dje sulmoi senatorin e nderuar Di Biagio. Një njeri që ka luftuar jo vetëm me fjalë, por edhe me armë për lirinë e shqiptarëve dhe lirinë e popujve të Ballkanit”. Një paralelizëm e hoqi mes miqve të kryeministrit dhe atyre të kauzës së qytetarëve për zgjedhje të lira e të ndershme. “Aldo di Biagio është luftëtar me armë për lirinë e Kroacisë dhe ka shërbyer nën komandën e një gjenerali shqiptar në luftën për pavarësinë e Kroacisë, i cili quhet gjeneral Agim Çeku. Aldo di Biagio ka qenë me mision ushtarak, krahë për krahë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prej vitit 1998 e deri në çlirimin e Kosovës. Pra, ka ndihmuar jo me konferenca shtypi, por si pakkush, luftën çlirimtare të shqiptarëve në Kosovë. Si e ka ai që ha dreka e darka dy herë në javë me Ramën? Vuçiç dhe Daçiç. E çfarë kanë qenë këta kur luftonte Di Biagio për pavarësinë e Kosovës? Njëri ka qenë zëdhënësi i Millosheviçit, tjetri ka qenë ministri i Informacionit i kasapit të Ballkanit, Slobodan Milosheviç. Me këta ulet e ha drekë e darkë çdo javë. Ndërsa çlirimtarët, italo-kroatin që ka luftuar për pavarësinë e Kroacisë, që ka luftuar me armë për pavarësinë e Kosovës, vjen dhe e baltos këtu. Çfarë t’i themi këtij, a mund t’i themi patriot?”. Lulzim Basha tha se kryeminsitri Rama e ka katandisur vendin të parin për drogën dhe pastrimin e parave, por të fundit për rritje ekonomike, çmimin e lartë të naftës, fuqinë blerëse të qytetarëve dhe të fundit për shifrat e punësimit në vend.

Exit mobile version