Apeli i GJKKO lë në fuqi vendimin, burg të përjetshëm për Laert Haxhinë, autorin e masakrës së Lushnjës

Apeli i GJKKO ka në fuqi vendimin për dënimin me burgim të përjetshëm për Laert Haxhinë, i cili akuzohet sei autori i masakrës së Lushnjës.

 

Laert Haxhiu kishte ankimuar vendimin e Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion, por togat e zeza të Apelit lanë në fuqi dënimin e tij me burgim përjetë.

Laert Haxhiu u dënua si autor i masakrës së Lushnjës ku humbën jetën dy të rinjtë Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi, si edhe u plagosën Marjus Xhepexhiu dhe Bujar Turku. Shënjestra e atentatit ishte Xhulio Shkurti, nipi i ish-kreut të bandës së Lushnjës, Aldo Bare.

I riu nga Lushnja, u kap në Janinë me leje qendrimi greke të falsifikuar dhe në dokumente prezantohej me emrin Mikis Askalidis, 32 vjeç, lindur në Gjeorgji.

Laert Haxhiu pretendoi se në Shqipëri i rrezikohet jeta, por Gjykata greke vendosi ekstradimin e tij drejt vendit tonë.

VENDIMI I APELIT TË GJKKO:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Florjan Kalaja (kryesues), Saida Dollani (anëtare) dhe Tereza Merkaj (anëtare),  më datë 13.11.2024, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 49 akti, datë 09.09.2024 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesit/të pandehurit L.H., kundër vendimit nr. 26, datë 24.04.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka vendosur:

  1. Deklarimin fajtor të të pandehurit L.H. për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim” për hakmarrje, mbetur në tentativë ndaj viktimës Xh.Sh., kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 78 paragrafi i dytë, në lidhje me nenet 22 dhe 28 pika 4 të K.Penal si dhe në bazë të nenit 334 pika 2 të Kodit Penal, dënimin e tij me 25 (njëzet e pesë) vjet burgim.
  2. Deklarimin fajtor të të pandehurit L.H. për kryerjen e veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” ndaj dy ose më shumë personave, ndaj viktimave Z.L., J.H., B.T. dhe M.Xh., kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 79/dh, në lidhje me nenin 28 pika 4 të K.Penal si dhe në bazë të nenit 334 pika 2 të Kodit Penal, dënimin e tij me burgim të përjetshëm.
  3. Deklarimin fajtor të të pandehurit L.H. për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa lejë dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 278 paragrafi i parë, në lidhje me nenin 28 pika 4 të K.Penal si dhe në bazë të nenit 334 pika 1 të Kodit Penal, dënimin e tij me 10 (dhjetë) vjet burgim.
  4. Deklarimin fajtor të të pandehurit L.H. për kryerjen e veprës penale “Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a paragrafi i parë i K.Penal, dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.
  5. Pushimin e akuzës penale në ngarkim të të pandehurit L.H. për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 274, në lidhje me nenin 28 pika 4 të K.Penal, pasi ndjekja penale nuk duhet të fillonte.
  6. Në aplikim të nenit 55 paragrafi i parë i K.Penal, bashkimin e dënimeve dhe dënimin përfundimisht të të pandehurit L.H. me një dënim të vetëm, atë me burgim të përjetshëm.
  7. Vuajtja e dënimit për të pandehurin L.H. të kryhet në një IEVP, burg i sigurisë së lartë.
  8. Shpenzimet procedurale gjatë fazës së hetimit i lihen në ngarkim të pandehurit L.H. në mënyrë solidare bashkë me të dënuarit O.B. dhe A.K., ndërsa shpenzimet e gjykimit i lihen në ngarkim të pandehurit L.H..
  9. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim nga palët brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, afat i cili fillon nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit.

Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

  1. Lënien në fuqi të vendimit nr. 26, datë 24.04.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
  2. Shpenzimet e procedimit penal në ngarkim të të pandehurit z. L.H.
  3. Kundër vendimit lejohet rekurs brenda 45 ditëve në Gjykatën e Lartë, duke nisur ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit të arsyetuar.

SI NDODHI MASAKRA E LUSHNJES

Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha mbetën të vrarë në 11 tetor të vitit 2017, ndërsa dy persona të tjerë, Marjus Xhepexhiu, pronari i lokalit ku ndodheshin atë çast dy viktimat, si dhe një kalimtar i rastit, 66-vjeçari Bujar Turku, që po kalonte në atë moment me biçikletë, kanë mbetur të plagosur lehtë. Dy të rinjtë u ekzekutuan me breshëri automatiku në hyrje të lokalit.

Autori zbriti nga një automjet dhe në duar mbante një armë automatike, ndërsa në kokë kishte një maskë të zezë. Ai eci gati 20 metra, duke iu afruar dy të rinjve që qëndronin në kafene dhe menjëherë ka hapur zjarr me automatik. Ai ka lëshuar dy breshëri kallashnikovi, ndërkohë që ka lënë të vdekur në vend Jurgen Hoxhën dhe shokun e tij, Zamir Latifi. Më pas, ai është larguar shumë shpejt në drejtim të daljes së Lushnjës, drejt zonës së ish-Fabrikës së Plastmasit. Zamir Latifit i ishte bërë atentat edhe një herë tjetër, një vit para ekzekutimit.

Ai ishte shok me Xhulio Shkurtin, nipin e Aldo Bares, ndërkohë që Xhulio Shkurti mori një plumb në këmbë, ndërsa u plagos edhe Sajmo Xhelili. Xhelili dhe Shkurti kanë edhe lidhje familjare me njëri-tjetrin. Dy vjet pas ngjarjes së rëndë, që u quajt edhe si “masakra e Lushnjës”, ndodhën edhe dy ekzekutime të tjera. Enver Boriçi ishte viktima e radhës e atentateve mafioze, i cili u vra në dhjetor të 2019, ndërkohë që vetëm pak muaj më parë u ekzekutua edhe Besnik Hida, ky i fundit daja i 23-vjeçarit Zamir Latifi. Nga Policia u dyshua se vrasja e tij mund të kishte lidhje me vrasjen e Latifit, për të cilin daja i tij kërkonte të bënte drejtësi dhe të zbardhej ngjarja.

Si i shpëtoi atentatit nipi i Aldo Bares

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se masakra e datës 11 tetor 2017 ka pasur si objektiv Xhulio Shkurtin, nipi i Aldo Bares. Vrasja e mbetur në tentativë disa vite më parë ndaj Xhulio Shkurtit, konkludohet se është kryer për hakmarrje, referuar këtu dhe historikut të konflikteve midis familjeve të Xhulio Shkurtit dhe Laert Haxhiut. Kjo hakmarrje e ka zanafillën herët, pasi banda e Aldo Bares alias Alfred Shkurti i ka djegur shtëpinë xhaxhait të Laert Haxhiut, Shkëlqim Haxhiu.

Më pas në janar të vitit 2005, është vrarë djali i xhaxhait të Laertit, Klodian Haxhiu. Në vitin 2016, Laert Haxhiu tentoi të vriste Xhulio Shkurtin, vrasje të cilën nuk arriti ta finalizojë dhe tentoi përsëri në mënyrë të organizuar të finalizojë në vitin 2017, por përsëri pa sukses. Pikërisht, mosfinalizimi i vrasjes së Xhulio Shkurtit, ishte shtysa që Laert Haxhiu të tentonte përsëri për të eliminuar Shkurtin, por këtë radhë në mënyrë më të organizuar.

Për të realizuar këtë qëllim, Haxhiu pas shtatorit të vitit 2016 në një kohë të papërcaktuar saktë, ka krijuar një grup kriminal në përbërjen e të cilit ka future lidhjet e tij të ngushta shoqërore, Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin, si dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar, për të cilët po vazhdon hetimi nga Prokuroria e Posaçme.

Artikulli paraprakBie me 58% eksporti i vajit të ullirit pasi uljes së çmimit të kërkuar nga përpunuesit italianë! Ndikimi i shtrenjtimi të kostos prodhuese
Artikulli tjetërSali Berisha, 80-vjeçari që flet broçkulla, ëndërron se presidenti Trump do t’i heqë “non-gratën, do të çlirohet nga akuzat e SPAK dhe do të kthehet në pushtet