Ish-sulmuesi i Milanit, Rikardo Kaka, gjatë një interviste për “Sky Sport”, ka analizuar sezonin e kuqezinjve, teksa ka këshilluar Vinçenco Montelën se si të fitojë derbin kundër Interit: “Milani në këtë sezon po bën një kampionat të shkëlqyer. Si tifoz kuqezi, uroj që Montela të rreshtojë skuadrën më të mirë të mundshme për sfidën kundër Interit. Jam i bindur që tifozët do të jenë të shumtë në numër në ‘San Siro’ dhe uroj që në fund të festojnë ata të Milanit. Mjafton që skuadra të vrapojë shumë në fushë dhe të jetë më lart fizikisht se kundërshtari”, tha fillimisht braziliani, i cili për momentin militon në SHBA te skuadra e Orlandos.
Me shumë mundësi, derbi Milan-Inter i javës së ardhshme do të jetë i fundit i Silvio Berluskonit si president dhe i Adriano Galianit në rolin e administratorit të deleguar. Lidhur me këtë fakt, Kaka, i cili ka qenë gjithmonë shumë i lidhur me dyshen në fjalë, tha: “Është disi e rëndë të flasim për derbi të fundit, kur i referohemi Berluskonit dhe Galianit. Ata janë dy figurat më të rëndësishme të Milanit në vitet e fundit, të cilët i mundësuan këtij klubi të fitojë gjithçka duke qenë një ndër klubet më të forta të panoramës botërore. Unë uroj që ky mos të jetë derbi i fundit për Silvion dhe Adrianon, por nëse është, kjo duhet të jetë një shtysë më shumë për Milanin për të fituar ndeshjen”.
Më tej, ish-numri 22 shtoi: “Unë kam shumë nostalgji për Milanin dhe Italinë dhe gjithnjë do t’u jem mirënjohës për ato çfarë klubi kuqezi dhe futbolli italian më kanë dhënë. E ndjek gjithnjë ‘Djallin’ kur kam mundësi, informohem dhe kërkoj lajme. Pastaj flas me ndonjë shok atje. Milani ka rëndësi të madhe për mua dhe do të jetë gjithnjë pjesë e veçantë e jetës sime. Pas vendit të 8-të me mua në fushë, Milani kaloi edhe dy sezone të tjera zhgënjyese.
Gjithsesi, mendoj se ‘Djalli’ është i destinuar që të kthehet në majë në Itali dhe në Europë, thjesht fare sepse është një klub i madh. Në futboll ka momente të bukura dhe të shëmtuara. Klubi duhet të jetë i zoti që të dalë nga këto momente të vështira, duke krijuar situata të bukura për të ardhmen. Brenda një kohe të shkurtër, ne do ta rigjejmë Milanin në majë”.