Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka lënë në burg Nezar Seitin, i njohur si financieri i grupit kriminal të Habilajve. Për Seitin janë dy masa sigurie “arrest me burg”, e para është për qëllim ekstradimi, drejt Italisë dhe e dyta për hetimin e përbashkët të Seitit me vëllezërit, Moisi dhe Florian Habilaj.
Më herët, Gjykata kishte caktuar masën e sigurisë 20 ditë burg për Nezar Seitin, me qëllim ekstradimin e tij drejt Italisë. Nazer Seiti kërkohet nga Prokuroria e Katanias në Itali, pasi e akuzon për trafik të lëndëve narkotike. Sipas prokurorëve në përgjimet e palës italiane del se Nezar Seitaj komunikonte vazhdimisht me Moisi Habilajn dhe diskutonte me të për pazaret e drogës. Në katër operacione antidrogë mes viteve 2012 dhe 2014 del edhe emri i tij.
Sipas organit të akuzës, kjo del në materialet shtesë të dërguara nga pala italiane për Seitajn. Por vetë i pandehuri dhe avokatët e tij kanë kërkuar që hetimet ndaj tij të zhvillohen në Itali dhe jo nga pala shqiptare, ku edhe u arrestua. Gjatë marrjes në pyetje ai ka thënë se me Habilajt ka lidhje krushqie, pasi bashkëshortja e tij i ka kushërinj dhe se nuk ka lidhje me aktivitetin e tyre kriminal.
40-vjeçari u prangos rreth një muaj më parë në qytetin e Vlorës, pasi nga përgjimet e hetuesve Italianë, ai kishte rolin e blerësit të mjeteve të shpejta lundruese. Në arrestimin e Seitit, morën pjesë edhe oficerët e Gjykatës së Katanias, pasi kishte dyshime se trafikanti mund t’i shpëtonte prangosjes, përmes dekonspirimit të operacionit.
Për të njëjtën dosje, qëndrojnë pas hekurave në Itali edhe kreu i grupit kriminal, Moisi Habilaj. 12 janë të arrestuarit deri tani në dy anët e Adriatikut me akuzën për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Ende nuk ka një vendim të Gjykatës shqiptare nëse Nezar Seiti do të ekstradohet apo jo. Ndërsa ky i fundit ka kërkuar edhe këtë të mërkurë dërgimin e tij dosjes në Itali, duke iu bashkuar pjesës tjetër të grupit të Habilajve.