Apeli lë në burg Shukriun

Ish-kryebashkiaku i Dibrës, Shukri Xhelili do të vazhdojë të qendrojë në qeli. Tre gjyqtarët e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, vendosën të mos pranojnë kërkesën e avokatit dhe të dyshuarit për të lënë qelinë e paraburgimit “Jordan Misja”. Avokati mbrojtës, kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë, duke pretenduar se pamjet filmike të transmetuara në media nuk mund të merren si provë materiale. Gjithashtu, ai tha se lirimin e Xhelilit nuk përbën rrezik për prokurorin në mbledhjen e provave. Edhe i dyshuari Shukri Xhelili kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë, duke premtuar se nuk do i fshihej drejtësisë.
Këto kërkesa u kundërshtuan nga prokurori, i cili tha se Xhelili nuk ka shprehur pendesë për veprimin e shëmtuar si dhe vazhdon të mos pranoi akuzën e korrupsionit. Për këtë fakt, prokurori i kërkoi Gjykatës që ish-kreu i Bashkisë së Dibrës të vazhdoi të qëndrojë në qeli me masën e sigurisë “arrest me burg”.
Ndaj Xhelilit rëndon akuza e korrupsionit pasiv me qëllim përfitimin e favoreve seksuale për një vend pune. Sipas akuzës, Xhelili është filmuar nga një 21-vjeçare, duke i kërkuar asaj favore seksuale për punësimin pranë institucionit që ai drejtonte. Por, pas publikimit të këtyre pamjeve Xhelili është arrestuar dhe më pas me urdhër të kryeministrit, ai është shkarkuar nga detyra. Shkarkim për të cilin nuk është dakord, çka ju ka drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimin e vendimit të shkarkimit dhe kthimin në detyrë.

Artikulli paraprakMediat greke: Rama po shemb banesat në Himarë për resortin e mikut të tij, Carapulit
Artikulli tjetërGrabitet edhe gruaja e nëndrejtorit të policisë