Apeli i Shkëlzen Berishës: Askush nuk meriton të largohet nga shtëpia jonë e tronditur

Shkëlzen Berisha ka reaguar përmes një postimi në Facebook duke bërë thirrje për bashkim të demokratëve për tejkalimin e krizës në të cilën gjendet PD. Ai ka bërë thirrje për të respektuar mendimin kundër të kujtdo pa qenë nevoja për linçime.
“E kuptoj debatin që ka lindur mes nesh për shkak të rezultatit. Kam zgjedhur të mos bëhem pjesë në këtë debat, ndonëse si të gjithë ju kam mendimet e mia. Por nuk i kuptoj dhe nuk i justifikoj dot sulmet, etiketimet dhe fyerjet që i adresoni njëri-tjetrit. Përse është kaq e vështirë të shprehni mendimet tuaja pa ofenduar ata që nuk mendojnë si ju? Përse e keni kaq të thjeshtë të zeroni kontributet e demokratëve vetëm pse nuk mendoni njëlloj? Mendoni se e keni vërtet luksin që me këtë rezultat të linçoni njëri-tjetrin? Keni plotësisht të drejtë të mbani qëndrimet dhe mendimet tuaja, por askush nuk ka të drejtë të shkelë, të mohojë, të ofendojë, të linçojë ata që mendojnë ndryshe nga ju! Kjo nuk është demokratike, kjo nuk është e ndershme, kjo nuk është rruga drejt bashkimit dhe fitores, por rruga drejt përçarjes dhe humbjes. Kemi ndarë së bashku për 4 vjet opinione dhe qëndrime opozitare! I kemi dhënë me mijëra pëlqime dhe mbështetje virtuale statuseve opozitare të njëri-tjetrit. Jemi respektuar si pjesë e së njëjtës familje politike. Kjo nuk duhet të ndryshojë thjesht dhe vetëm pse sot keni mendime të ndryshme se si dilet nga kriza, sepse në përfundim të saj, e vetmja mënyrë për të dalë të bashkuar, është respektimi i mendimit ndryshe. Askush nuk duhet dhe as nuk meriton të largohet nga shtëpia jonë e tronditur sepse mendon ndryshe”, shkruan Shkëlzen Berisha në Facebook.

Artikulli paraprakRinumërohen votat në Kavajë, Sakja rikonfirmohet fitues
Artikulli tjetërZyrtari i lartë i Vatikanit akuzohet për krime seksuale