Apeli vendosi që vula i përket Berishës, Kthupi: Apeli nuk trajtoi çështjen në themel, ja çdo të ndodhë…

Avokati Rezart Kthupi, një prej përfaqësuesve ligjorë të grupimit të Lulzim Bashës në çështjen për vulën dhe logon e PD-së, e cila një ditë më parë nga Gjykata e Apelit iu kalua grupimit të Rithemelimit të drejtuar nga Sali Berisha, tha se vendimi i Gjykatës nuk mund të diskutohet, pasi nuk është gjë normale.

Në rubrikën “Çështja e Ditës” në News24, Kthupi tha se në gjykatë u parashtruan çështjet e themelit, kërkuam të merreshin provat për Kuvendin e 11 dhjetorit, pasi sipas mendimit tonë, ai Kuvend nuk mund të prodhonte vendime të vlefshme.

“Gjykata u mor me aspektin procedurial, pra nuk i hyri çështjes në themel. Mendoj se Apeli nuk zbatoi vendimin e Gjykatës së Lartë, që përcaktonte se duhej një gjykim themeli”, tha Kthupi.

Lidhur me procedurat ligjore që do të ndiqen, Kthupi tha se kjo i përket forumeve drejtuese të grupimit të drejtuar nga Lulzim Basha.

“Duhet të keni parasysh se që kur filloi lëvizja e z. Berisha kishte si synim të cënonte organet drejtuese të PD-së dhe kjo ndodhi përpara se të mblidhte Kuvendin.

Statuti i PD përcaktonte qartë se mbledhjen e Kuvendin e kërkon ¼ e delegatëve, por thirrjen e bën Kryetari. Nga ky moment Kuvendi i 11 dhjetorit 2021 nuk është legjitim.

Keni deklarimet e z. Bardhi, që në atë kohë ishte Sekretar i Përgjithshëm i PD-së, i cili kërkonte që të depozitoheshin emrat e delegatëve dhe firmat e tyre që kërkonin mbledhjen e Kuvendit. Kjo gjë nuk ndodhi, në atë kohë emrat dhe firmat iu dorëzuan z. Paloka”, tha Kthupi.

Ai tha se një tjetër shkelje proceduriale është ajo se ndërsa Lulzim Basha ishte në detyrë si kryetar i PD-së, një komision i quajtur si Rithemelimi, paraqiti në Gjykatë ndryshimet në statut, gjë që është sërisht shkelje statutore.

“Gjykata e Apelit duhej të shqyrtonte të gjitha provat që kishte në dosje, ndaj vendimi i kësaj Gjykate është i atakueshëm, pasi nuk ka gjykuar çështjen në themel”, tha Kthupi.

Ai tha se kjo rrugë mund të zgjasë shumë në kohë, ndoshta jo 3 vjet, por do të duhet kohë pasi Gjykata e Lartë duhet ta shqyrtojë, duhet ta rikthejë në Apel dhe të rishqyrtohet çështja në themel.

Exit mobile version