“Apologjia e kameleonit” – Luan Myftiu

Nga Luan Myftiu

Vëllezër mëkatar!

Kam dashur me kohë t’ju lutem të më kuptoni. Unë jam kafsha më fatkeqe e pyllit. Kot e kanë që më akuzojnë si servil e dallkauk. Aftësia ime për t’u përshtatur buron nga paaftësia ime për t’u vetëmbrojtur.
Unë jam më i butë sesa duhet në krahasim me ashpërisnë tuaj. E kush mund të lartësohet, kur ndjen se qëndron më lart se unë? Po unë ç’faj kam se nuk guxoj të urrej atë që meriton të urrehet? E si mund të urrejë të tjerët ai që mbijeton duke shfytyruar veten?! Kur krenaria juaj buron nga papërkulshmëria e shpirtit, përulësia ime është bijë e një frike imagjinare! Nëse vërtet jam i neveritshëm, përse trajtohem si i denjë për t’u urryer?
Çuditem me ata që barabitin forcën e tyre me dobësinë e një mjerani.
Unë pres vetëm të mëshirohem nga ata, që s’kanë nevojë të poshtërojnë të tjerët për të qëndruar aq lart sa ç’pretendojnë!
Edhe i veshur me pushtet, unë përsëri mbetem kameleon.
Si thoni, a s’dua të kem edhe unë një fytyrë? Të lë në jetë një gjurmë? Të kem një buzëqeshje timen? Një dinjitet? Të tremb gjithë ata që më trembin? Të tall edhe unë ata që më tallin? A s’dua të jem i denjë për t’u respektuar? Pse u dashka të jem skllav i ambientit dhe rrezhanave? Përse të mos mbetem i kuq, kur trualli bëhet gri! Pse të ulërij vetëm kur ulërijnë të tjerët?
Sa i pazoti që jam unë, i gjori! Mos jam i ndëshkuar prej Zotit! Tërë forca ime (nëse mund të quhet forcë) qëndron tek dobësia ime. Juve ju mbron guximi, mua frika! Përse m’u dashka të bëhem i poshtër, edhe kur s’dua të jem i tillë?
Mos prisni të ndryshoj. Unë s’mund të mos jem, ky që jam. Unë i justifikoj ligësitë e mia,, duke menduar që, para se t’u bëj keq të tjerëve, poshtëroj më parë veten. Ndaj ruhuni prej meje, vëllezër!
Mjerimi dhe njëkohësisht rrezikshmëria ime burojnë ngaqë jam mësuar me pafytyrësinë time!
Mos më gjykoni nga përpjekjet që bëj për t’u dukur ai që s’jam.
Edhe në shpirtin e një lepuri fshihet dëshira për t’u bërë tigër.
Mëshiromëni!

Artikulli paraprakNga “non gratat” e reja deri te arrestimet e pritshme/ Çfarë pritet të sjell vjeshta politike në Shqipëri?
Artikulli tjetërAtdheu…