Arben Frroku para gjykatës në Amsterdam më 28 korrik

Arben Frroku, i dënuar me burgim të përjetshëm në Shqipëri për vrasjen e Komisarit të Policisë, Dritan Lamaj, do të dalë para gjykatës holandeze më 28 korrik. Gjykata do ta gjykojë Frrokun për falsifikimin e dokumenteve dhe më pas do të merret edhe vendimi për ekstradimin e tij në Shqipëri, ku ai duhet të vuajë dënimin me burgim të përjetshëm. Arben Frroku u arrestua më 6 mars pranë Aeroportit të Amsterdamit me dokumente greke, me identitetin e rremë, ndërsa policia shqiptare njoftoi arrestimin e tij më 28 prill, dy ditë pasi lajmi u publikua nga ish-Kryeministri Berisha. Verifikimi i identitetit të shtetasit Frroku erdhi pas krahasimit të gjurmëve të dërguara nga autoritetet e vendit tonë për partnerët holandezë. Interpol Haga konfirmoi se gjurmët ishin identike me ato të një shtetasi të arrestuar me dokument (pasaportë) greke të falsifikuar, me gjeneralitetet “Renato TSEPA”, lindur në Korçë. Pas verifikimeve të autoriteteve holandeze rezultoi se personi në fjalë ishte Arben Frroku.
Frroku u largua nga Shqipëria me bekimin direkt të ministrit të Brendshëm, Tahiri, vetëm pak orë para se Gjykata e Apelit të jepte vendimin. Arben Frroku u arratis nga Shqipëria më datën 20 qershor të vitit të kaluar, dy ditë para zgjedhjeve lokale, pasi e kreu misionin e tij për t’i dhënë fitoren PS-së në Pukë. Prokuroria zbuloi se, Frroku nuk ishte regjistruar në sistemin TIMS kur kaloi në pikën kufitare. Frroku u ndalua nga Policia e Malit të Zi në kufi me Kroacinë, ku u mbajt për rreth pesë orë për verifikim, pasi ka rezultuar person i shpallur në kërkim. Autoritetet e Malit të Zi e kanë mbajtur të izoluar Frrokun, duke i kërkuar Ministrisë së Brendshme shqiptare të dhëna ndaj tij, por Tahiri u konfirmoi autoriteteve malazeze se ndaj Frrokut nuk ka asnjë urdhër arresti. Pas konfirmimit nga Ministria e Brendshme shqiptare autoritetet malazeze e lanë të lirë Frrokun për të udhëtuar drejt Kroacisë.
Frroku ka mundur të largohet nga vendi pak ditë, pasi jepej vendimi i Apelit, duke mos hasur në asnjë pengesë as për faktin që ishte ende i dyshuari kryesor për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj dhe pse sipas Prokurorisë të gjitha provat dhe dëshmitë faktonin se ishte ai autori që qëlloi mbi komisarin.
Rama dhe Tahiri i hapën rrugën Frrokut jo vetëm brenda kufijve, por në çdo pikë kufitare me shtetet e tjera. Arratisja e Frrokut ishte shpërblimi që Rama i bëri atij në këmbim të fitores që ai i siguroi PS-së në Pukë, në zgjedhjet lokale të 21 qershorit. Një ditë para se të arratisej, Frroku ka qëndruar me Ramën në një lokal në Pukë, ku prej ditësh ai bënte fushatë për fitoren e kandidatit të majtë.
Pas arratisjes, Prokuroria nisi hetimet dhe zbuloi se Frroku nuk ishte regjistruar në sistemin TIMS ditën që u largua nga Shqipëria drejt Malit të Zi, ç’ka vërtetonte se ai ishte lejuar nga autoritetet shqiptare që të arratisej. Hetuesit verifikuan sistemin TIMS dhe sipas tyre, Frroku nuk rezultonte i regjistruar as në dalje dhe as në hyrje. Sipas Prokurorisë, Arben Frroku mund të jetë larguar nga territori shqiptar, pa u kontrolluar ose punonjësi i policisë në pikën doganore nuk e ka regjistruar daljen e tij. Sipas organit të akuzës, Frroku është ndihmuar nga autoritetet shqiptare që të arratiset pa lënë gjurmë dhe për këtë shkak nuk është regjistruar në sistemin TIMS në pikën kufitare.

R.POLISI

Artikulli paraprakShefi i Komisariatit të Rinasit flinte gjumë ku u krye grabitja
Artikulli tjetërPresidenti apel Kuvendit: Hetoni skandalin e grabitjes në aeroport