Në një reagim publik, kandidati për deputet i Koalicionit Euroatlantik në qarkun Shkodër, Arben Gjuraj, shprehu angazhimin e tij për një përfaqësim të denjë dhe me përulësi ndaj qytetarëve. Me një përvojë të gjatë në qeverisjen vendore, fillimisht në Dajç dhe më pas në Shkodër, Gjuraj theksoi se njohja nga afër e problemeve reale të komuniteteve dhe sfidave institucionale e kanë bërë atë më të vetëdijshëm për domosdoshmërinë e ndryshimit.
Sipas tij, Veriu i Shqipërisë – një territor i pasur me burime natyrore, me një popullatë punëtore dhe të kulturuar – është lënë pas dore nga qeverisjet e njëpasnjëshme, duke përshkallëzuar plagët sociale si korrupsioni, varfëria, emigrimi, mungesa e arsimit cilësor dhe shkatërrimi i shpresës. “Është për të ardhur keq që një pasuri e tillë njerëzore dhe natyrore është tradhtuar nga politikat e dështuara”, u shpreh ai.
Në deklaratën e tij, Gjuraj theksoi mbështetjen ndaj reformave në drejtësi, forcimin e institucioneve si SPAK dhe GJKKO, dekriminalizimin e politikës, si dhe domosdoshmërinë e bashkëpunimit të ngushtë me partnerët euroatlantikë. Ai vuri në dukje se mungesa e vizionit dhe përpjekjet për të dobësuar aleancat strategjike janë rrezik për të ardhmen dhe sigurinë kombëtare.
Duke shpjeguar vendimin për t’u angazhuar politikisht, Arben Gjuraj u shpreh:
“Kjo është arsyeja që më bëri t’i bashkohem Koalicionit Euroatlantik si kandidat për deputet, edhe pse do të kisha dashur të mbështesja një të re apo një të ri nga radhët tuaja.”
Në përfundim, Gjuraj u bëri thirrje qytetarëve të Shkodrës dhe të gjithë Veriut të Shqipërisë që të mos dorëzohen përballë padrejtësive dhe të bashkohen në përpjekjen për të rikthyer shpresën dhe dinjitetin në jetën publike.
Postimi i plotë:
Të nderuar miq!
Vitet e shërbimit tim si i zgjedhur vendor më kanë dhënë mundësinë të njoh mirë mjedisin ku qeverisja ushtrohet: territorin natyror, komunitetet lokale, ligjet e rregullat që normojnë këtë veprimtari dhe institucionet përkatëse lokale dhe ato të epërme.
Fillimisht në Dajç e më pas në Shkodër, së bashku me komunitetet vendore, kemi kaluar sprova shumë të vështira, sprova që na kanë vetëdijësuar për t’i përballuar bashkërisht.
Është për të ardhur keq që një territor i mrekullueshëm si Veriu shqiptar, me burime të larmishme e të pashoqe, me popullata të traditave të gjalla të kulturës e punës, është qeverisur e shpërdoruar në përkeqësim deri në vrasjen e shpresës së bijve të tij, duke detyruar largimin masiv të tyre, qoftë edhe drejt vendeve më të mirëqeverisura.
Problemet e pazgjidhura të pronës private, shpërdorimi masiv deri në abuzim i pronave publike, arsimi i munguar, shëndetësia e pasigurt dhe aspak falas, kostoja e lartë e jetesës, korrupsioni masiv e kapilar, krimi i organizuar, droga, varfëria, emigrimi i trurit, mungesa e drejtësisë, etj., janë pasoja të politikave të gabuara dhe keqqeverisjes vazhduese.
Mungesa gjithashtu e vizionit dhe dëshirës për tu mbështetur në përvojat më të mira rajonale dhe euroatlantike të qeverisjes, si dhe dëmtimi i marrëdhënieve me partnerët tanë strategjikë, është luftë e hapur ndaj interesit publik dhe dëmton të ardhmen dhe sigurinë e vendit tonë.
Mbështetja e institucioneve të reja të drejtësisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (si SPAK dhe GJKKO), kontrolli i pastërtisë së figurës së pushtetarëve (të mëparshëm dhe të tanishëm) dhe atyre që aspirojnë të marrin pushtet, dekriminalizimi, lista të hapura, bashkëpunimi dhe bashkërendimi i ngushtë me partnerët euroatlantikë si detyrë e shoqërisë dhe institucioneve shqiptare, përfshirë partitë politike kanë qenë ndër çështjet të ngritura dhe mbrojtura nga Partia Demokratike – Demokratët Euroatlantikë.
Kjo është arsyeja që më bëri t’i bashkohem Koalicionit Euroatlantik si kandidat për deputet, edhe pse do të kisha dashur të mbështesja një të re apo një të ri nga radhët tuaja.
Sidoqoftë, unë mbetem i gatshëm që, me përulje, durim e shpresë, së bashku me anëtarët e grupimit Demokratët Euroatlantikë, por edhe me çdo person apo subjekt me vullnet të mirë, të përfaqësojmë zërin tuaj dhe të zonave më pak të përfaqësuara deri më tash.