Arben Isufaj, i njohur si Ben Qimja, personazh me shumë dritëhije në botën e krimit, aktualisht i shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje dhe kanosje të gjyqtarit, rezulton se ndër vite ka shtrirë tentakulat në administratë dhe ka fituar tendera apo grante.
Sipas dokumenteve zyrtare, ai është fitues i fondeve të IPARD për të investuar në një fermë bujqësore në Radostinë, Dërmenas të Fierit. Isufaj, edhe pse i akuzuar për krime të rënda dhe i dënuar nga autoritetet italiane për trafik droge, ka mundur të përfitojë nga fondet e BE-së për bujqësinë. Konkretisht, ai është mbështetur me 292 milionë lekë për ngritjen e fermës.
Mjafton kaq për të treguar sesi është abuzuar me grantet për bujqësinë dhe sesi këto grante kanë përfunduar në duart e njerëzve të lidhur me krimin apo të përfshirë direkt në krim, sikurse është rasti i Arben Isufaj. Aktualisht, hetimet për fondet e IPARD po zhvillohen nga Prokuroria e Posaçme, e cila, krahas dyshimeve për abuzime, duhet të hetojë edhe mënyrën sesi njerëz të krimit shtrinë duart e tyre dhe përfituan nga këto grante.