Arbitra italianë për finalen Laçi-Kukësi

Një finale me arbitra italianë. Lajmi tashmë është zyrtarizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit që bëri të ditur emrat e arbitrave që do të gjykojnë finalen e Kupës së Shqipërisë mes Kukësit dhe Laçit. Gjyqtari kryesor i takimit do të jetë Marco Guida, i cili do të ketë si asistentë Lorenzo Manganelli dhe Alessandro Costanzo. Në këtë mënyrë do të jetë Marco Guida që do të mbajë drejtësi në takimin e kësaj të diele në “Qemal Stafa”. Arbitri 35-vjeçar i lindur në Pompei ka bërë një ngjitje të shpejtë në shkallët e karrierës, me profesion si konsulent biznesi, Marco Guida ka filluar të arbitrojë që në moshën 15-vjeçare në vitin 1996, për 7 vjet ka arbitruar në kategoritë amatore për të debutuar në Serinë D dhe në vitin 2006 hyri në organikën arbitrale të Serisë C.
Marco Gudia është një ndër arbitrat më të rinj në Itali që kanë marrë çertifikatën për të gjykuar në Serinë B dhe A, kur ishte vetëm 28 vjeç dhe ka humbur rekordin absolut për vetëm 3 muaj. Në karrierën e tij ka drejtuar mjaft sfida të rëndësishme si Milan-Juventus të 2 marsit 2014. Në arkivat e mediave italiane zbulon se në drejtim të tij ka patur dhe akuza nga drejtuesit e Juventusit që e kanë etiketuar si një tifoz të Napolit, ndërsa që nga viti 2013 Guida ka marrë dhe stemën e FIFA-s, si dhe të drejtën për të gjykuar ndeshje ndërkombëtare, duke bërë më pas debutimin në një ndeshje të kombëtareve të mëdha në një miqësore mes Kroacisë dhe Qipros më 4 shtator të 2014.

Artikulli paraprakXhaka pozon me fanellën e Arsenalit
Artikulli tjetërAnsi Agolli festoi titullin kampion me Qarabag