Arbitrat e skuadrave shqiptare në Europë

Tirana-Maccabi Tel Aviv, një ndeshje vendimtare për fatet e sezonit të bardhebluve. Pas humbjes në sfidën e parë 2-0 djemtë e Ze Marias presin të enjten në “Selman Stërmasi” izraelitët. Në këtë duel, do të vendosë drejtësi një hungarez. Bëhet fjalë për gjyqtarin Sandor Szabo, i cili do të mbështetet gjithashtu në një treshe gjyqtarësh hungarezë. 37-vjeçari është arbitër i FIFA-s, por në arenën ndërkombëtare nuk ka drejtuar ende ndeshje të rëndësishme.
Një tjetër skuadër shqiptare që do të kërkojë të përmbysë rezultatin e sfidës së parë është Partizani që do të sfidojë në Burgas, Botev Plovdiv. Për këtë duel, UEFA ka caktuar gjyqëtar kryesor turkun Alper Ulusoy. Edhe dy asistentët ashtu si arbitri i katërt janë arbitra me eksperiencë në kampionatin turk.
Në Andorra, Skënderbeu duhet të hipotekojë kalimin në fazën e dytë të Europa League pas suksesit 1-0 në Korçë kundër Sant Julia. Skuadra e Ilir Dajës do të zbresë në fushë në orën 20:30 në një ndeshje ku “bilbil” kryesor do të jetë norvegjezi Kai Erik Steen. 32-vjeçari ka marrë stemën e FIFA-s gjatë këtij viti dhe në vendin e tij konsiderohet si një nga emrat më të talentuar të arbitrimit.
Ndërkohë, po të enjten, Prishtina do të luajë në Mitrovicë ndeshjen e dytë europiane kundër Norrkoping me pak shpresa kualifikuese pas disfatës së thellë 5-0 në ndeshjen e parë. Danezi Jens Maae do të drejtojë ndeshjen që do të luhet në stadiumin e rikonstruktuar “Adem Jashari”. Arbitri nordik e ka marrë stemën e FIFA-s në vitin 2014 dhe ka një eksperiencë të madhe drejtimi ndërkombëtare në ndeshjet e grupmoshave mes shteteve dhe klubeve.
Një tjetër duel interesant është edhe ai që do të luhet në Moldavi mes Dacias dhe Shkëndijës së Tetovës. Kuqezinjtë janë favoritë për të siguruar kualifikimin pas suksesit të pastër 3-0 në ndeshjen e parë. Në këtë përballje, drejtësia do të vendoset nga sllovaku Peter Kraloviç.

Exit mobile version