Arbitri i bën komplimente Navasit

Reali i Madridit është vënë në qendër të kritikave sa u përket favorizimeve nga arbitrat. Pothuajse pas çdo ndeshjeje ka kontestime që ekipi i Zinedin Zidanit ndihmohet nga gjyqtarët në kampionat dhe për këtë arsye po kryeson renditjen e kampionatit. Aktualisht, merengesit kanë dy pikë më tepër se rivalët e Barcelonës, por me një ndeshje më tepër në dispozicion. Polemikat e fundit kanë ardhur pikërisht pas ndeshjes së fundjavës kundër Betisit.
Kejlor Navas ishte një nga më të mirët për Realin, duke reflektuar nga kritikat e ndeshjes paraardhëse. Në minutat e fundit, ai bëri një pritje të shkëlqyer ndaj Sarabias, kur ky i fundit goditi topin me kokë vetëm pak metra larg portës kundërshtare. Pasi përfundoi takimi, gjyqtari Mateu Lahoz iu afrua Nabvasit dhe i tha: “Bravo. Pritje e bukur…”. E gjithë kjo është kapur në kamera dhe ka mjaftuar që të përdoret nga kundërshtarët e kryesuesve, të cilët e konsiderojnë të çuditshme.
Futbollisti i Betisit, Dani Sebajo, ka akuzuar në mënyrë direkte gjyqtarin. “Ndeshja duhet të kishte përfunduar në barazim dhe ky ishte rezultati më i drejtë. Në fakt, na u mohua një penallti e pastër në fund, e cila do mjaftonte që gjithçka të shkonte në 2-2.
Kejlor Navas shkaktoi një faull të qartë në dëm të Darko Brasanac brenda zonës, ku duhej akorduar 11- metërsh dhe portieri të ndëshkohej me karton të kuq. Por, ndodhi krejt e kundërta. Madje, unë isha pranë gjyqtarit Lahoz, kur ai e përgëzoi gardianin e Realit për paraqitjen që kishte zhvilluar. Nuk di se çfarë duhet të bënte më tepër”, u shpreh Sebajo.

Artikulli paraprakFlasin statistikat
Artikulli tjetërDerbi Inter-Milan luhet në 12:30