Arena Kombëtare është edhe zyrtarisht kandidate për të organizuar finalen e Superkupës së Europës. Impianti modern që po ndërtohet në Tiranë është mes 10 stadiumeve në garë për zhvillimin e ndeshjes së vitit 2019. Ashtu siç u konfirmua prej prezantimit të projektit nga Kryeministri Edi Rama dhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, synimi është që përveç ndeshjeve të Kombëtares në “Arenën Kombëtare” të zhvillohet edhe një prej finaleve më të rëndësishme të kontinentit.
Kërkesa për të luajtur finalen e Superkupës është depozituar nga Federata Shqiptare e Futbollit në selinë e UEFA-s. Në garën ku marrin pjesë dhjetë impiante nga 9 shtete të ndryshme europiane, Shqipëria ka si rivalë stadiumin e Tuluzës në Francë, impiantin “Florian Albert” në Budapest të Hungarisë, stadiumin e Haifas në Izrael, “Astana Arena” në Kazakistan, impiantin “Ëinsdor Park” në Irlandën e Veriut.
Të tjerë stadiume në garë janë “Hampden Park” në Skoci, “Besiktas Arena” në Turqi, ndërsa Polonia ka hedhur kandidaturat për “Gdansk Arena” dhe “Stadiumin Kombëtar” të Varshavës.
Sipas procedurave, më datë 1 mars të këtij viti do të zhvillohet seminari për prezantimin e kandidaturave, ndërsa më 6 qershor UEFA do të vlerësojë dokumentacionin e paraqitur nga federatat që kanë shfaqur interes. Më pas, do të jetë Ekzekutivi i UEFA-s, që në shtator do të japë vendimin përfundimtar rreth stadiumit që do të presë finalen e Superkupës së Europës në vitin 2019.