Argita Malltezi ishte përgjigjja e Berishës ndaj deputetëve “neutral” të PD

Kryelajmi i kuvendit të Rithemelimit nuk ishte deputetit italian i Forza Italia, që erdhi si shpërblim ndaj heshtjes së Berishës për marrëveshjen Rama- Meloni.

Nuk ishte as rezoluta kundër SPAK, institucion që ai sulmon çdo ditë nga bunkeri i tij.

Nuk ishte as përsëritja e akuzave të vjetra e të lodhura ndaj Bashës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Nuk ishte as braktisja e demokratëve, që e lanë sallën të zbrazur, si dëshmi e lodhjes dhe vetëdijsësimit mbi revolucionin e rremë, që ka për qëllim mbrojtjen e Berishës dhe familjarëve të tij nga SHBA dhe drejtësia.

Jo, lajmi nga kuvendi i Rithemelimit ishte zbritja në politikë e Argita Malltezi Berishës. Vjazës së ish-kryeministrit, po ashtu të shpallur non grata nga SHBA, e cila u fut zyrtarisht në linjën e trashëgimisë politike të të atit.

Me burrin në arrest shtëpie, me të atin në hetim nga drejtësia dhe në mos të madhe, me të vëllanë në aromë SPAK-u, me gjasë ajo dhe i ati e shohin si të vetmen në gjendje të çojë përpara betejën e Sali Berishës. Në mbrojtje të asaj që mund të mbrohet nga trashëgimia politike dhe materiale e familjes më të pushtetshme të Shqipërisë.

Zbritja e saj në fushë, ditën kur munguan deputetët “neutral” të PD-së, që presin lodhjen, arrestimin apo largimin nga kjo botë e Berishës për të marrë rol aktiv në punët e opozitës, ishte mesazhi me të cilin u mbush nje vakuum që nuk ka ekzistur kurrë në kokën e Berishëve.

Familja para së gjithash. Mbrojtja e saj para PD. Mbrojtja e saj para Shqipërisë.

Për ta nuk ka rëndësi shkatërrimi i opozitës; Fitorja e Ramës; Humbja e PD-së. Të gjitha këto janë detaje të pa rëndësi, karshi halleve të tyre të mëdha.

Prandaj, kushdo që i ka dhënë imazhin apo fjalën e tij Berishës këto muaj agonie, duhet ta ketë të qartë se po lodhet kot. Trashëgimia e tij, ajo copë e Rithemelimit me aksione përherë e në rënie, do t’i kalojnë të bijës, jo ndonjë deputeti që ka vendosur shishen e qumështit në radhë.

Kushdo që me vetëdije apo pa vetëdije është bërë mburojë për Berishën para SPAK dhe SHBA, duke ngritur tymnajën e karrigeve parlamentare, e duke devijuar vëmendjen e opinionit publik, po i jep alibinë e “viktimës politike” Berishës dhe fronin e Rithemelimit të bijës. Ndërsa për vete po fiton epitafin me të cilin Berisha nisi një epokë që po mbyllet me të, atë të bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës.

Exit mobile version