Argjentina dhe Messi jashtë! Bota e futbollit ka një yll të ri

Franca ka shkatërruar Argjentinën me rezultatin 4-3 duke kaluar në çerekfinale. Ndeshja e parë e fazës së nokautit, ashtu siç parashikohej, dhuroi pafund spektakël dhe në fund ishin europianët ata që dolën triumfues nga stadiumi i Kazanit.
Ylli që vendosi gjithçka për francezët ishte Kylian Mbappe i Paris Saint-Germain. Talenti bëri gjithçka për vendin e tij, duke i marrë stafetën Leo Messi-t pasi duket se brenda disa viteve do të jetë një nga lojtarët më të mirë që do të konkurrojë për Topin e Artë.
Ishte pikërisht talenti i PSG ai që fitoi penalltinë pas një sprinti nga 70 metra, me Griezmann që e shndërron në gol. Por një goditje nga hiçi e Di Maria-s nga rreth 25 metra i ka dhënë barazimin argjentinasve.
Pas pushimit latinët kalojnë në avantazh për të parën herë falë një goli me shumë fat të Macado-s. Por Franca nuk dorëzohet dhe Pavard barazon rezultatin me një tjetër perlë nga distanca, mbase goli më i bukur i Botërorit.
Pastaj fillon Mbappe “show”. Talenti ka shënuar dy golat e radhës, njëri më i bukur se tjetri, duke i dhënë fitoren vendit të tij. Fundi ishte dramatik, Aguero ngushton diferencën por nuk kishte më kohë për të barazuar. Messi jashtë, sot mund të themi se zyrtarisht ka lindur një yll i ri.
Ylli i padiskutueshëm i ndeshjes së parë të fazës së 1/8-ave ishte padyshim Kylian Mbappe. 19-vjeçari ka shkëlqyer me fanellën Blu, duke fituar penalltinë e golit të parë dhe duke shënuar dy golat e avantazhit në pjesën e dytë.
Mbappe është bërë adoleshenti i parë që shënon më shumë se një gol në një ndeshje të Kupës së Botës pas legjendës braziliane Pele.

Pas ndeshjes, francezi nuk përmbahej dot dhe buzëqeshja ishte stampuar në fytyrën e tij teksa ka thënë disa fjalë për gazetarët. “Ishte një ndeshje fantastike. Luajtëm shumë mirë, kemi një ekip të madh me lojtarë të mëdhenj. Merituam fitoren.
“Adoleshenti i parë që shënon dy gola që pas Pele? Jam krenar për këtë arritje. Është ëndrra e çdo futbollisti të shkëlqejë në Kupën e Botës. “Kritikat? Le të flasin. Unë përgjigjem në fushë”.
Eliminimi nga Botërori sjell “viktimën” e parë në kombëtaren e Argjentinës
“Do të largohem nga kombëtarja e Argjentinës. Nga dita e sotme nuk jam më një lojtar i saj, por do të jem përgjithnjë tifoz i Argjentinës”, ka qenë deklarata e dhënë sot nga Javier Maccherano, pas humbjes 4-3 ndaj Francës, që solli eliminimin e kombëtares amerikano-latine nga Botërori “Rusi 2018”. Mascherano, 34 vjeç, është një nga veteranët e kombëtares së Argjentinës, por paraqitja e tij në këtë turne nuk ishte në lartësinë e duhur.
“Ndeshja ndaj Francës ishte e çmendur, takim ku dhamë gjithçka, por nuk ia dolëm mbanë. Mendoj se barazimi i tyre (2-2) na dëmtoi shumë, pasi erdhi në një moment kur në arritëm t’i përmbysnim shifrat. Megjithatë, luajtëm dhe humbëm ndaj një ekipi të madh si Franca”, tha Mascherano.
Mesfushori veteran tregon edhe gjendjen e skuadrës pas këtij eliminimi. “Jemi të shkatërruar psikologjikisht, ndjej një zbrasëti brenda meje dhe kjo kuptohet. Ëndrra jonë ishte finalja, por po kthehemi më herët në shtëpi. Bëmë shumë sforco për t’ia dalë mbanë, por nuk luajtëm shumë mirë dhe kjo na vret shumë”, tha Mascherano, që falënderon fansat që e kanë mbështetur.

394380 TS 30 06 18 8997655204

Exit mobile version